Mazhoranca shkel Kushtetutën dhe Kodin Zgjedhor pas paraqitjes së listës së kandidatëve për deputetë për zgjedhjet parlamentare më 23 qershor. Konkretisht nenin 69 të Kushtetutës ku thuhet qartë se se nuk mund të kandidojnë e as të zgjidhen deputetë pa hequr dore nga detyra në adminsitratë shtetërore.
Po ashtu edhe neni 63 i Kodit Zgjedor i cili përcakton rregullat e listës së kandidateve. Rasti me flagrant është ai i prefektit Keltis Kruja i cili mban postin e prefektit të Qarkut të Tiranës dhe do të kandidojë si deputet po në kryeqytet apo edhe rasti i Voltana Ademit e cila është prefekte e qarkut Shkodër dhe kandidon për deputete po në të njëjtin qark. Sipas ekspertit të së drejtës Denar Biba është cënuar parimi i barazisë kushtetuese.
"Ministri e deputeti mund të kandidojnë pa hequr dorë nga funksioni i tyre. Të gjitha strukturat e tjera, zv ministër, Drejtor i Përgjithshëm Drejtorish, kryetar i Enteve të Pavarura të gjithë kanë ndalesën kushtetuese dhe më tej ligjore për të mos kandiduar pa dhënë dorëheqjen nga funksioni i tyre. Jemi përpara një konflikti kushtetues madje është cënuar parimi i barazisë në zgjedhje. Disa individë kanë hyrë në pozita të favorizuara, kanë hyrë si funskionarë shtetërore"- thotë Denar Biba.
Megjithatë këto emra që mbajnë postin në administratë duhet të filtrohen nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve
"Filtri i parë në këtë mision është KQZ. Neni 72 i Kodit parashikon që KQZ si strukturë që verifikon dokumentetet e kandidatëve, dhe një ndër dokumentet e kandidimit është deklarimi i dorëheqjes nga funksioni i tij publik ku ka qenë paraprakisht"- vazhdon Biba.
KQZ pritet që pas 7 ditësh të bëjë publikimin e listës zyrtare dhe vlefshmërinë e dokumentacioneve që shoqëron këtë listë.