Dënime të rënda për dukuritë e racizmit dhe të ksenofobisë parashikon projektligji i ri i Ministrisë greke të Drejtësisë, i cili do të çohet për votim këto ditë në parlament. Projektligji parashikon deri edhe heqjen e të drejtave politike pëtr racistët. Projektligji "Kundër racizmit dhe ksenofobisë" parashikon gjoba deri në 20.000 euro, por edhe burgim nga tre deri në gjashtë vjet, për të gjithë ata, të cilët publikisht dhe gojarisht apo edhe nëpërmjet shtypit të shkruar apo vizv, portaleve internetike, por edhe nëpërmjet çfarëdolloj metode nxisin aktet terroriste, pasi shtyjnë drejt dhunës kundër grupeve sociale apo edhe individëve, duke pasur parasysh racën, ngjyrën e lëkurës, bindjen fetare, origjinën apo orientimin e ndryshëm gjenetik e seksual.
Me të njëjtat dënime do të dënohen edhe ata, të cilët kundërshtojnë apo mohojnë rëndësinë e krimeve e të genocidit, krimeve kundër njerëzimit, krimeve të luftës, apo edhe fashizmit e nazizmit. Po qe se në të tilla veprime do të jetë pjesëmarrës apo do t'i kryejë një lider politik, atëherë u ndërpritet financimi shtetëror.
Bëhet fjalë për projektligjin e parë, i cili parashikon të tilla dënime të rënda për rastet e nazizmit dhe ksenofobisë.
Gjithashtu, me votimin e projektligjit, cilido deputet që do të përmendë, qoftë edhe nga tribuna e parlamentit nxitje apo fjalë urrejtjeje, kërcënime për akte dhune kundër personave të tjerë që kanë ngjyrë, fe, kombësi, do të ditirambizojnë fashizmin, do të përdorin simbole naziste apo do të përshëndesin si ata, do t'u hiqet menjëherë azili parlamentar dhe do të çohen drejt gjykatave.
Në hartimin e projektligjit kanë marrë pjesë juristë, analistë, pedagogë universitetesh e filozofë, intelektualë të njohur, deputetë, si edhe personalitete të spikatura nga emigracioni në Greqi. Rol këshillimor në hartimin e projekt/ligjit "Kundër racizmit dhe ksenofobisë" nga komuniteti shqiptar kishin gazetarët, Ardi Stefa e Gazmend Kapllani.