Vazhdon bastardimi i gjuhës shqipe!

alsatmtv 2015-08-21

Views 3

Gabimet drejtshkrimore në gjuhën shqipe vazhdojnë të jenë të pranishme nëpër botime të ndryshme. Kësaj radhe, Alsat-M udhëzoi qytetin e Shkupit për gabimet drejtshkrimore që paraqiten në revistën informative të përmuajshme me emrin "Shkupi". Përveç gabimeve, shumë tekste në këtë revistë janë përkthyera fjalë për fjale, por që si tërësi, nuk kanë aspak kuptim. Shembull konkret, në faqen e fundit të gazetës shkruhet "Ditën prill imagjinar 2013" që është marrë nga përthimi automatik i Google Translate i fjalës "April Fool's Day" ... pastaj "Higjiena unale" në vend të "Higjiena komunale" e shumë gabime të tjera.

Pas denoncimit të këtyre gabimeve nga ana e TV Alsat-M, Qyteti i Shkupit përmes një kumtese kërkoi falje publike tek qytetarët duke theksuar se këto gabime do të korrigjohen në edicionin elektronik. Qyteti i Shkupit pranoi se deri tani nuk kishte pasur vërejtje të kësaj natyre nga asnjë institucion.
"Qyteti i Shkupit shpreh falënderime për shpalosjen e gabimeve teknike në faqen 3 dhe në kopertinë. Gabimet janë bërë pa qëllim, gjatë procesit të përpunimit final të numrit të ri të revistës informative "Shkupi" dhe për këtë u kërkojmë falje publike lexuesve. Deri tani qyteti i Shkupit, gjatë 6 viteve të kaluara, nuk ka marrë asnjë vërejtje nga asnjë institucion profesional, publik apo individ që merret me lekturën e gjuhës shqipe, as për cilësinë e teksteve në këtë revistë si dhe botime të tjera të qytetit të Shkupit", thuhet në kumtesën e këtij qyteti. Edhe numri 'dy' i qeverisë Musa Xhaferi, disa ditë më parë theksoi se për eliminimin e këtyre gabimeve gjuhësore nevojitet themelimi i një institucioni i cili do të kujdesej për kultivimin e gjuhës.

"Përderisa nuk është krijuar një standard dhe një traditë këtu tek ne gjatë përkthimit formal zyrtar mund të ketë lëshime teknike, ne do ti përmirësojmë në vazhdimësi, ndoshta ka nevojë të ketë institucione të cilat përkujdesen për kultivimin e gjuhës që mos të bëhen kësi gabime teknike", deklaroi kohë më parë Musa Xhaferi, zv/ kryeministër.

Gabime drejtshkrimore deri tani janë ndeshur në shumë dokumente personale, si dhe broshura informuese, të rëndësishme në përdorimin e përditshëm nga qytetarët. Gjyltene Rexhallari

Share This Video


Download

  
Report form