TIRANE - Protestë edhe në Shqipëri për 1 Majin. Konfederata e Sindakatave të Shqipërisë u mblodh tek sheshi "Ushtari i Panjohur" duke premtuar se "ajo do të jetë avokatja juaj për një çlirim shpirtëror dhe punëtor"
Kreu i Sindikatave Kol Nikollaj kërkoi të bashkohen për të për të drejtat: "Partitë na trokasin në derë vetëm për vota. Gratë e punishteve, rrobaqepësive të shfrytëzuara. Kundër shfrytëzuesve për të drejtat tona në punë"- tha Kol Nikollaj kryetari i konferederatës së sindikatave.
Gjatë protestës dëgjoheshin thirrjet "Rroftë 1 Maji", "Poshtë Kapitalizmi" apo edhe "shokë dhe shoqe". Ndërsa në duar mbanin pankarta, ku shkruhej: "Çlirim punëtor, çlirim shoqëror" apo 'Rroftë Partia Komuniste".
Në fjalimet përpara manifestuesve u tha se, "Populli i Tiranës e quajti Partizanin e Panjohur për të përfaqësuar popullin e tij. Por Partizani i Panjohur nuk e njeh më qytetin e tij. Përpara tij ecin punëtorët e kërcënuar nga vdekja në punë nga paga mjerane, kalojnë studentët e mendjes, të papunët e sotëm dhe të nesërm. Përpara tij kalojnë ata që e mbajnë frymën me lëmoshë".
Duke i kundërvënë kësaj se "në vend të tyre kalojnë hienat, ata që e vënë pasurinë përmes zhvatjes dhe poshtërimit të të tjerëve, kalojnë zotët e rinj mbi tokë"- tha një nga përfaqësuesit e sindikatës së punëtorëve. (ad.ti/shqiptarja.com)