Ministri i Jashtëm i Maqedonisë Nikolla Poposki i hodhi poshtë pretendimet rreth ekzistimit të një afati kohor, deri kur Qeveria duhet të prononcohet lidhur me propozimin e fundit të ndërmjetësit Nimic rreth çështjes së emrit. Poposki tha se as 5 maji siç spekulojnë mediumet greke dhe as ndonjë datë tjetër nuk ka të bëjë me realitetin. Sipas tij, ndërmjetësi Nimic vazhdon përpjekjet për të shtyrë procesin përpara, dhe se vendi është i interesuar për të arritjen e marrëveshjes rreth çështjes së emrit, por se presin që të njëjtën gjë ta reflektojë edhe Athina zyrtare.
"Bëhet fjalë vetëm për spekulime mediatike, nuk eksiton kurrfarë afati të lidhur me datën që e përmendet por as ndonjë afat tjetër. Gjendja reale flet se z. Nimic ka komunikime, dëshiron që të shtyhet procesi përpara, kjo është në interesin tonë. Kemi shumë arsye përse duam që kjo të realizohet në një mënyrë normale, nga ana jonë jemi të përkushtuar plotësisht në procesin, i kemi përmbushur të gjitha kriteret që dalin nga obligimet tona ndërkombëtare, duam të kemi dialog të hapur me fqinjin tonë jugor dhe mendoj se derisa shohim një përkushtim të tillë edhe nga Athinë, atëherë pasqyra e integrimeve euro-atlanike do të ishte shumë më e mirë, këtë presim ta shohim. Ky është dialog mes dy palëve dhe këtë presim të reflektohet edhe nga tjetër", deklaroi Nikolla Poposki, Ministër i Jashtëm i Maqedonisë.
Nga ana tjetër zv/ kryministri për implementimin e Marrëveshjes së Ohrit, Musa Xhaferri, deklaroi se edhe qeveria tani më e ka të qartë se vendi nuk do të mund të bëjë hapa përpara në proceset integruese pa kapërcimin e problemit me Greqinë.
"E tërë Qeveria ka qëndrim të përbashkët, të gjithë ne e kemi të qartë se ajo pengesë duhet të tejkalohet që të hapet rruga drejt integrimit në NATO dhe BE. Tani, për fat të keq, të gjithë e kuptuam se pa disa zgjidhje nuk do të hapet rruga andaj të gjithë duhet të investojmë dhe të shpresojmë se do të gjejmë një kompromis më të mirë që asnjërën anë nuk do të vë në ndonjë situatë të papërshtatshme. Mendoj se duhet që të dyja anët ose të gjitha anët të fitojnë që si rezultat do të ketë anëtarësim në NATO dhe BE ndërsa ne bashkë me fqinjët tanë do të jemi në organizata të njëjta ndërkombëtare", tha Musa Xhaferri, zv/ kryeministër për implementimin e Marrëveshjes së Ohrit.
Ministri i Jashtëm i Shqipërisë Aldo Buçi i cili sot qëndroi në vizitë zyrtare në Shkup, shprehu gatishmërinë e Tiranës zyrtare për të mbështetur integrimin e Maqedonisë në NATO dhe për të vazhduar përpjekjet e përbashkëta për t'iu bashkëngjitur familjes evropiane.
"Në perëndim të Maqedonisë është një vend mik, i cili ka mbështetur dhe do të vazhdojë të mbështes fuqishëm Maqedoninë integrimin e saj në NATO dhe integrimin e përbashkët në BE. Mesazhi jonë për shqiptarët e Maqedonisë ka qenë i njëjtë, të bëhen pjesë e proceseve integruese, e proceseve demokratike, ne na vjen mirë që shqiptarët në Maqedoni janë një faktor i rëndësishëm i stabilitetit dhe prosperitet të Maqedonisë...