VMRO fiton Dollnenin, BDI akuzon PDSH-në

alsatmtv 2015-08-21

Views 1

Shqiptarët humbën Komunën e Dollnenit. Kandidati i VMRO DPMNE-së Boshe Milloshevski mori edhe 1000 vota më shumë krahasuar me raundin e parë, ndërsa BDI-ja me kandidatin Abdulla Bajramovski humbi 900 vota. Deputetja e BDI-së Ermira Mehmeti Devaja akuzoi opozitën shqiptare se votat e saj në Dollnen ia shiti kandidatit të VMRO DPMNE-së.

"Duhet sqaruar këtu manipulimi që bën opozita shqiptare. Në Dollnen dje nuk ka pasur keqpërdorim nga ana e shtetit siç pretendohet, por për fat të keq në fshatra me100% popullsi shqiptare ka ndodhur që shqiptarët në formë të qetë, absolutisht demokratike kanë votuar një kandidat maqedonas", tha Ermira Mehmeti Devaja, deputete e BDI-së.

PDSH-ja ka hedhur poshtë këto akuza, ndërsa përgjigjen se si VMRO DPMNE-ja ka arritur të fitojë 1000 vota më shumë, e ka kërkuar nga BDI-ja.

"Njoftojmë opinionin se PDSH-ja në raundin e dytë ka përkrahur kandidatin e BDI-së në Komunën e Dollnenit. Këtë e flasin edhe argumentet. Votat e kandidatit të vetëm shqiptar në raundin e parë Sevgani Ibrahimovski dhe kandidatit të BDI-së Abdulla Bajramovski kanë qenë gjithsej 3800 vota. Aq kandidati i BDI-së, dje në raundin e dytë edhe i fitoi. Andaj BDI nuk është parti që duhet të akuzojë PDSH-në për këtë gjë. BDI duhet të jep sqarim si lejoi që të rriten 1000 vota të kandidatit maqedonas në Komunën e Dollnenit", deklaroi Bekim Fazliu, deputet i PDSH-së.

Por nga tabela më poshtë mund të shihet se pikërisht 350 votat që kishte marrë kandidati i PDSH-së në raundin e parë në Cërnilisht, në raundin e dytë i kanë takuar kandidatit të VMRO DPMNE-së, që kanë qenë vendimtare për fitoren e Boshe Millosheskit. Ndërkaq, për sa i përket ri-fitores së Ziadin Selës në Strugë, PDSH-ja akuzoi BDI-në se ka shantazhuar kandidatin e tyre. Ndaj kësaj akuze, zëdhënësi i BDI-së Bujar Osmani, theksoi se kryetari i BDI-së Ali Ahmeti që ditën e parë ka dhënë mbështetjen për Selën, si në media ashtu edhe në terren.

"Pse deshët ta pengoni fitoren e PDSH-së në Strugë duke sjellë 1000 policë, njësi speciale, që terrorizonin qytetarët shqiptarë në Strugë?", pyeti Bekim Fazliu, deputet i PDSH-së.

"Në terren, ndërmjet raundit të parë dhe raundit të dytë z. Ahmeti nuk ka vizituar asnjë komunë tjetër përveç Strugës ku ka bërë apel aktivistëve të tanë për të punuar në favor të kandidat shqiptar dhe rezultati u tregua edhe në raundin e dytë edhe në raundin e tretë. Por këto nuk i bëjmë ne për PDSH-në, i bëjmë për interesa më të mëdha", tha Bujar Osmani, zëdhënës i BDI-së.

Osmani paralajmëroi se BDI-ja do të paraqesë ankesa në KSHZ për sa i përket rezultateve zgjedhore në Komunën e Dollnenit, për shkak të parregullsive të regjistruara nga vëzhguesit e tyre, të cilët nuk kanë firmosur edhe procesverbalet në disa vendvotime. Benjamin Arifi

Share This Video


Download

  
Report form