Sot në katër komuna të Maqedonisë po zhvillohet procesi zgjedhor pas anulimit të votimeve nga Gjykata administrative. Në tre komuna, Qendër, Strugë dhe Gjorce Petrov po rivotohet në disa vendvotime, ndërsa në Komunën e Dollnenit po mbahet rreth i dytë zgjedhor në të gjitha vendvotimet. Pjesëmarrja deri në orën 13:00 ka qenë më e ulët se në rrethin e kaluar zgjedhor, rreth 33% në nivel republikan.
"Në nivel republikan pjesëmarrja është 33,41%, ndërsa në nivel të Qytetit të Shkupit 33,88%. Në Dollnen pjesëmarrja është më e madhe, 38,58%. Në Komunën Qendër, ku rivotohet në 29 vendvotime, pjesëmarrja deri në ora 13 është 34,29%. Në Strugë, ku rivotohet në 9 vendvotime, pjesëmarrja deri tani është më e vogël, 25,05%. Në Gjorce Petrov pjesëmarrja është 26,82%", tha Biljana Jovanovska, zëdhënëse e KSHZ-së.
Deri te KSHZ nuk ka pasur vërejtje për parregullsi. Por, Asociacioni qytetar MOST ka informuar për parregullsi të shumta në Komunën Qendër, por edhe në Dollnen, prej nga ku raportohet për ndërprerje të votimit për rreth 20 minuta. Komisioni Shtetëror Zgjedhor ka hedhur poshtë këto informata.
"Mendoj se ky informacion nuk është i saktë. Sipas të dhënave tona nuk është i saktë", deklaroi Biljana Jovanovska, zëdhënëse e KSHZ-së.
Votimi do të mbyllet në orën 19, ndërsa rezultatet e para zyrtare do të shpallen pak para mesnate. Benjamin Arifi