Katërmbëdhjetë të vdekur, në mesin e të cilëve edhe një fëmijë dyvjeçar është bilanci i masakrës së përgjakur që ndodhi sot herët në mëngjes në vendin Velika Ivança, 100 kilometra në jug të Beogradit. 60 vjeçari Lubisha Bogdanoviq për arsye deri tani të panjohura, së pari ia ka marrë jetën djalit të vet, e më pas është nisur edhe drejt shtëpive të farefisit në shtëpitë fqinje. Pasi la dhjetëra të vdekur, kryerësi ka shtënë drejt bashkëshortes së tij, e më pas ka tentuar të vrasë edhe veten, pasi që në këtë fshat ka mbërritur policia.
"Në këtë moment nuk i dimë motivet, të cilat sollën deri te kjo tragjedi. Sipas deklaratave të para të fqinjëve nuk kemi njohuri se bëhet fjalë për person të sëmurë ose konfliktuoz. Kemi njohuri se kryerësi në vitin 1991 ka marrë pjesë në luftimet në rajonin e Sllavonisë. Nuk kemi dëshmi tjera se bëhet fjalë për person që mund të bëjë diçka të këtillë", tha Millorad Veljoviq, drejtor i policisë.
Të gjitha viktimat janë vrarë në mënyrë të njëjtë, me të shtëna në fytyrë ose pjesë tjera të kokës, në të shumtën e rasteve gjatë fjetjes. Sipas disa televizioneve serbe Bogdanoviqi ka hyrë rreth orës katër të mëngjesit në oborret e shtëpive të fqinjëve të tyre dhe ka shtënë. Pasi që së pari e ka vrarë të birin, ka dalë nga shtëpia dhe është nisur në fushatën vrasëse, gjatë së cilës ka bërë masakër në katër shtëpi fqinje të lagjes. I ka vrarë nikoqirët, fëmijët, nuset, vjehrrat dhe anëtarët dhe anëtarët tjerë të familjeve të tyre.
"Ishte njeri i mirë, të gjithëve t'ia hapte derën. Të gjithë i ndihmonte. Me siguri ka luajtur mendsh", tha Millovan Konstantinoviq, fqinj.
Të gjitha vrasjet i ka kryer me revolen e tij që e ka poseduar me leje, nuk ka pasur kurrfarë dosje kriminele, nuk ka pasur probleme psikike, ndërsa vitin e kaluar edhe ai edhe djali i tij e kanë humbur punën në një ndërmarrje sllovene. Sipas burimeve spitalore, edhe pse ka marrë plagë prej armës së zjarrit që vetë ia ka shkaktuar vetes në pjesën e kokës, vrasësi është gjallë, por gjendet në gjendje kritike shëndetësore. Policia vazhdon hetimet. Petar Bllazhevski