VMRO DPMNE fiton 56 komuna, LSDM 4, kandidat të pavarur 2

alsatmtv 2015-08-21

Views 0

Zgjedhjet lokale për VMRO DPMNE-në ishin historike ndërsa për LSDM-në zgjedhje jo të lira dhe jo demokratike. Partia e kryeministrit Gruevski, VMRO DPMNE-ja në këto zgjedhje fitoi 56 Komuna dhe qytetin e Shkupit, ndërsa LSDM-ja fitoi vetëm katër Komuna. Lideri i VMRO DPMNE-së Nikolla Gruevski fitoren në këto zgjedhje e vlerësoi më të madhen në historinë e saj me udhëheqjen e Komunave. Gruevski tha se humbja e Strugës dhe Kërçovës është si pasojë e ndarjes territoriale në vitin 2004.

"Në këto zgjedhje u tregua se ndarja territoriale e vitit 2004 në të cilën në si parti politike dhe si koalicion thonim se nuk është e përshtatshme, u tregua se është e dizajnuar në atë mënyrë që të fitojë kandidat shqiptar. Megjithatë, edhe pse humbëm në Strugë dhe Kërçovë, përshëndes demonstrimin e bashkimit dhe përgjegjësisë mbipartiake, përkrahjes së kandidatëve tonë Koçovski dhe Despotovski, çka është vlerë e re në jetën politike në Maqedoni, por edhe shans dhe shpresë për zgjedhjet dhe sfidat e ardhshme", tha Nikolla Gruevski, kryetar i VMRO DPMNE-së.

Kryetari i LSDM-së Branko Cërvenkovski fajin për humbjen e sheh në uzurpimin e institucioneve nga ana e partisë në pushtet. Cërvenkovski tha se tërë aparatura shtetërore, në këto zgjedhje u vu në funksion të VMRO DPMNE-së.

"Dua të falënderoj votuesit që na mbështetën. I falënderoj për guximin, sepse të votosh për opozitën, në një vend si Maqedonia, me këtë regjim, duhet të kesh shumë guxim për të marrë mbi vete rreziqet që mund të pasojnë. Maqedonia nuk është vend as demokratik, as shtet juridik, as shtet i lirë. Ju them se nuk ka shtet të lirë dhe demokratik, ku ka një keqpërdorim të institucioneve, ku të gjithë institucionet janë në funksion të partisë në pushtet, ku shpenzohen mjetet publike vetëm për një parti, ku ka uzurpim të mediave. Në të tilla kushte, nuk mund të ketë zgjedhje të lira dhe demokratike", deklaroi Branko Cërvenkovski, kryetar i LSDM-së.

Gjatë gjithë ditës së rrethit të dytë zgjedhor, nga shtabi i LSDM-së vinin ankesa të ndryshme për parregullsi në procesin zgjedhor. Agjitim nga ana e pjesëtarëve të policisë, arrestim i aktivistëve të opozitës, votues fiktiv të importuar nga Pusteci me transport të organizuar dhe blerje votash. LSDM-ja publikoi edhe video materiale, ku sipas tyre shihen qytetarë të Pustecit duke votuar në Qendër.

Edhe përkundër akuzave të opozitës për votuesit fiktiv, kandidati i koalicionit të udhëhequr nga LSDM-ja Andrej Zhernovski fitoi Qendrën. Koalicioni opozitar në këto zgjedhje fitoi Strumicën, Kumanovën, Rankovcin. Në këto zgjedhje LSDM-ja ka humbur 3 komuna në krahasim me zgjedhjet e fundit lokale. Në rrethin e dytë, fitore kanë siguruar edhe dy kandidatë të pavarur, Stevo Pivkovski në Komunën e Mogillës dhe Stevço Jakomivski në Karposh. Benjamin Arifi

Share This Video


Download

  
Report form