LEZHE - Kanë paguar dhjetëra mijëra euro për blerjen e një apartamenti apo dyqani nëpërmjet kontratave të rregullta, por prej 3 vjetësh firma ndërtuese e një pallati në afërsi të tregut në Lezhë ka ndërprerë punimet dhe nuk ka asnjë kontakt me blerësit.
Kjo situatë ka nxitur protestën e këtyre qytetarëve, të cilët kërkojnë që të gjendet një zgjidhje për ta, pasi sipas tyre firma ndërtuese u ka marrë paratë dhe është larguar.
Qytetarët i bëjnë apel institucioneve përkatëse, që të ndërhyjnë për të gjetur një zgjidhje, qoftë edhe nëpërmjet kontakteve me zyrën e firmës ndërtuese të këtij objekti shumë katësh, pasi aktualisht protestat e vazhdueshme shihen si mundësia e vetme që u ka mbetur.
Shumat e paguara prej tyre për të poseduar një aparatament apo dyqan, variojnë nga 4 milionë lekë të reja deri në 100 mijë euro, duke krijuar jo pak probleme financiare për këta qytetarë. Banorët, të cilët tashmë kanë paguar sipërfaqet e prenotuara prej tyre, japin si zgjidhje kalimin e përfundimit të këtij pallati tek një tjetër investitor, me qëllim që të mund të gëzojne pronën që kanë paguar.
Qytetaret shprehen se një zgjidhje mund të jetë edhe konfiskimi i kapitaleve të kompanisë, të cilat sipas tyre nuk janë të pakta dhe nëpërmjet tyre të realizohet përfundimi i këtij pallati. Humbjet që u janë shkaktuar këtyre qytetarëve nga bllokimi i shumave të parave që i kanë derdhur kompanisë Pacani janë të konsiderueshme, por ata kërkojnë vetëm përfundimin e objektit në mënyrë që të gëzojnë pronën e blerë prej tyre.
Ndërtimi i pallatit në afërsi të tregut të Lezhës ka nisur në vitin 2008 dhe duhej të kishte përfunduar në 2009-ën. (ad.ti/shqiptarja.com)