Aeroporti i Shkupit, 'Aleksandri i Madh' për nga shërbimet e tij është aeroporti më i mirë komercial evropian për vitin 2012 në kategorinë deri në 2 milion pasagjerë në vit. Çmimin në konkurrencën e 275 aeroporteve tjera, e ndau Këshilli ndërkombëtar i aeroporteve, në bazë të një ankete me pasagjerë për cilësinë e shërbimeve në aeroporte. Sipas kreut TAV-it, kompania që e ndërtoi dhe që menaxhon aeroportin, ky çmim paraqet nder të madh pasi rezultatet janë arritur për një periudhë të shkurtër . Tani qëllimi i tyre është të sigurojnë 1 milion pasagjerë në vit.
"Që më parë falënderoj ata që na ndihmuan, që do të udhëtojnë për ta arritur këtë numër prej 1 milion. Aeroporti jonë është i ri, i hapur, kurse tani edhe me kushte më të mira në Evropë", tha Murat Ornekol, drejtor ekzekutiv i TAV- Maqedoni.
Në fund të vitit të kaluar përmes aeroportit të Shkupit udhëtuan 906 871 udhëtarë. Aeroporti i Shkupit ka një përqindje dukshëm më të madhe të rritjes së numrit të udhëtarëve krahasuar me mesataren evropiane prej 1.8 për qind.
"Vitin e kaluar kishim një rritje prej 8.7 për qind, kurse në shkurt të këtij viti, krahasuar me muajin e njëjtë të vitit të kaluar, kemi rritje prej plot 14 për qind, që është mbi mesataren evropiane", tha Mile Janakievski, ministër i transportit dhe lidhjeve.
Sipas ministres së punëve të brendshme, Gordana Jankulovska, një pjesë e suksesit të aeroportit i takon edhe punës së policisë.
"Aeroporti mori vlerësime të larta në pjesën që ka të bëjë me kohën e pritjes për kontrollin e pasaportave, përkatësisht kontrollin e dokumenteve personale dhe në pjesën e mirësjelljes dhe shërbimit të personelit tonë si dhe në pjesën e ndjenjës së sigurisë dhe rehatisë", tha Gordana Jankulovska, ministre e punëve të brendshme.
Aktualisht, sipas statistikave qytetarët e Maqedonisë më së shumti udhëtojnë për në Cyrih, pastaj për në Stamboll dhe më pas vijnë fluturimet për në Vjenë, Beograd dhe Zagreb. Goran Temenugov