Policia nisi mobilizimin për zgjedhjet lokale të 24 marsit. Ministrja e Brendshme Gordana Janullovska nuk bëri të ditur numrin e policëve që do të angazhohen për mbarëvajtjen e procesit zgjedhor. Për sa u përket precedentëve, Jankullvoska tha se shtabi operativ zgjedhor disponon me të dhëna rreth rajoneve problematike ku do të përqendrohet numri i madh i forcave të rendit.
"Sa u përket precedentëve ne kemi të dhëna rreth rajoneve ku në të kaluarën kemi pasur probleme dhe natyrisht se kemi një indikator serioz se ku do t'i përqendrojmë forcat tona, respektivisht shpërndarjen e forcave policore në kuptim të mbajtjes së rendit dhe qetësisë publike, sigurimin e pikave zgjedhore...nuk do thosha se probleme gjatë zgjedhjeve ka vetëm në Maqedoninë Perëndimore, përkundrazi kemi pasur probleme në të gjitha pjesët e Maqedonisë, por shpresoj se në këto zgjedhje nuk do të detyrohemi të angazhojmë policinë në cilindo pjesë të vendit", deklaroi Gordana Jankullovska, ministre e brendshme.
Për sa i përket protestës së mundshme që kreu i LSDM-së e paralajmëroi për ditën e zgjedhjeve të 24 marsit, Jankullovska tha se dikasteri i saj ka kapacitet që qytetarëve të sigurojë përmbushjen e të drejtës së votës.
"Nuk do të doja të komentojë vendime politike të cilitdo subjekt politik, por nga pozita e ministrit të brendshëm mund të garantojë se qytetarët do të mund ta përmbushin të drejtën e tyre të votës, por edhe të realizimit të drejtës si kandidatë për funksione të ndryshme në këto zgjedhje", theksoi Gordana Jankullovska, ministre e brendshme.
Përveç shtabit operativ qendror, Jankullovska njoftoi se janë formuar edhe 8 shtabe të tjera të sektorëve për punë të brendshmen, ku do të përfshihen edhe pjesëtarë të OSBE-së dhe organizatave të tjera. Jankullvoska njoftoi edhe hapjen e një portali informativ përmes të cilit qytetarët mund të paraqesin ankesat e tyre rreth parregullsive eventuale në procesin zgjedhor apo denoncimin e korrupsionit. Ministria e Brendshme do të jetë e hapur edhe për furnizimin e qytetarëve me dokumente personale biometrike, me qëllim që të mund ta përmbushin të drejtën e tyre të votës. Semra Jakupi