VMRO, nuk ka shtyrje të zgjedhjeve lokale

alsatmtv 2015-08-21

Views 2

Vetëm disa ditë para afatit përfundimtar për konfirmimin e kandidaturave për zgjedhjet e ardhshme lokale, dy partitë më të mëdha maqedonase mbeten me qëndrime të kundërta për sa i përket kërkesave të opozitës për zgjedhje parlamentare. Spekulimet se zgjedhjet lokale mund të shtyhen deri në arritjen e një marrëveshjeje politike, janë hedhur poshtë sot nga VMRO DPMNE-ja. Partia në pushtet u shpreh e prerë se zgjedhjet lokale do të mbahen në afatin e caktuar, më 24 mars, ndërsa zgjedhje të parakohshme parlamentare nuk do të ketë! Ndërkohë, Unioni Demokratik i Pavle Trajanovit, partner koalicioni i VMRO-DPMNE-së, ka bërë thirrje për takim urgjent liderësh, me qëllim kapërcimin e krizës dhe arritjen e kompromisit. Nga ana tjetër, LSDM-ja përsëriti sot qëndrim se nuk do të marrë pjesë në zgjedhjet lokale, nëse nuk arrihet marrëveshje politike për zgjedhje të parakohshme parlamentare.

"Maqedonia është në krizë të thellë dhe serioze politike, nga e cila dalje e vetme janë zgjedhjet e ardhshme parlamentare. Fatkeqësisht, ata që janë më përgjegjës në këtë shtet nuk e shohin këtë. Në këtë moment, pa marrëveshje politike, LSDM-ja nuk do të marrë pjesë në zgjedhjet lokale", u shpreh Jani Makraduli, deputet i LSDM-së.

Për sa iu përket thirrjeve nga opinioni ndërkombëtar, i cili apelon të lihen anash interesat partiake dhe të punohet në interes të qytetarëve, Makraduli theksoi se rezistenca që po bën opozita është pikërisht në emër të qytetarëve, pasi sipas tij, me dëbimin e opozitës nga salla e Kuvendit më 24 dhjetor, pushteti dëboi 370 000 qytetarë, votues të opozitës.

"Pushteti, me polici, nuk dëboi përfaqësues partiakë, por dëboi përfaqësues të 370 000 qytetarëve të Maqedonisë. Për aq kohë sa nuk gjendet fajtori për këtë ngjarje, ne nuk mund të flasim për shtet normal demokratik. Jo për shkak të interesit partiak, por pikërisht për interesat e Maqedonisë. Nëse kjo nuk dënohet, secili në të ardhmen mund ta përsërisë këtë, dhe do të pajtoheni se këtë nuk e dëshiron askush", tha Jani Makraduli, deputet i LSDM-së.

LSDM-ja sot vazhdoi protestat para institucioneve që sipas tyre, janë bërë vegla të regjimit të Gruevskit. Rezistencë opozitare sot u organizua edhe para Komisionit Rregullator të Energjetikës, për shkak të rritjes sistematike të çmimit të rrymës dhe refuzimin e kërkesave të iniciativës qytetare AMAN një ditë më parë në Kuvend. Benjamin Arifi

Share This Video


Download

  
Report form