Fondi i Sigurimit Shëndetësor iu bën thirrje të papunëve që të paraqiten deri më 31 mars, përndryshe, atyre mund t'iu ndërpritet sigurimi, qoftë edhe për 1 ditë vonesë, dhe për pasojë, të humbin të drejtën e shfrytëzimit të kartonëve të gjelbër dhe shërbimeve shëndetësore. Madje, në periudhën e ardhshme 6 mujore, ata nuk mund të shfrytëzojnë dot as mjetet ortopedike ndihmëse. Regjistrimi i sërishëm i punëtorëve filloi më 1 shkurt të këtij muaji, mirëpo jo me fluksin që pritej. Deri tani, nga rreth 230 mijë persona që kanë sigurim shëndetësor, janë riregjistruar vetëm 6 për qind, përkatësisht 15 mijë persona.
"Të gjithë ne me qëllim që të gjithë këta qytetarë të kenë kontinuitet, të mos kenë ndërprerje në mbrojtjen shëndetësore, në sigurim shëndetësorë, pasi të gjithë ata të cilët nuk do ta respektojnë këtë kohë, pas një prillit me automatizëm të gjithë do të fshihen nga regjistri i të siguruarve dhe këto qytetarë me fshirjen automatike humbin disa të drejta të cilët edhe po ta bëjnë ri-regjistrimin edhe me një prill apo me 2 prill, shumë ët drejta në mbrojtjen shëndetësore ata u limitohen në qoftë se kanë edhe një ditë ndërprerje. Andaj edhe njëherë apelojmë deri tek të gjithë qytetarët që të paraqiten së paku më së voni deri më 31 mars", deklaroi Xhemail Mehazi, drejtor i FSShM.
Ri-regjistrimin duhet ta bëjnë personat me të ardhura minimale, që nga buxheti i shtetit kanë marrë sigurim shëndetësor për veten dhe familjet e tyre. Gjithashtu, regjistrimi ka të bëjë edhe me qytetarët që sigurohen për herë të parë. Fondi bën apel që qytetarët të mos presin momentin e fundit për të bërë regjistrimin, me qëllim t'iu shmangen radhëve të gjata para sporteleve, vonesave dhe shqetësimeve, por edhe të mos humbin të drejtën e tyre të sigurimit shëndetësor. Bojana Simonoviq