Deri në 10 vjet burg për huliganët

alsatmtv 2015-08-21

Views 0

Tifozët që do të përdorin dhunë dhe fyejnë në terrene sportive, do të dënohen nga gjashtë muaj deri në 10 vjet burg. Ky dënim parashihet me ndryshimet e reja të Kodit Penal, të cilat i prezantoi sot zëdhënësi i Qeverisë. Sipas propozim ndryshimeve të Kodit Penal, vepra penale "Dhunë në terrenet sportive" do të konsiderohen: maltretimet, fyerjet, cenimi i sigurisë së tjetrit apo ushtrimi i dhunës së ashpër para, gjatë apo pas ndeshjeve sportive. Propozim ndryshimet në Kodin Penal vijnë pas fyerjeve të shumta që tifozët i përdorin në tribuna sportive.

"Ai i cili maltreton tjetrin, fyen, cenon sigurinë e tij apo ushtron dhunë të ashpër ndaj një personi tjetër, do të sanksionohet penalisht dhe do të përballet me dënim me burg në kohëzgjatje prej 6 muaj deri në 5 vjet. Nëse gjatë kryerjes së dhunës së ashpër ndonjë person merr lëndime të rënda trupore apo vdes, atëherë kryerësi i devijimit të tillë do të dënohet me burg prej 3 deri në 10 vite", tha Aleksandar Gjorgiev, zëdhënës i Qeverisë.

Megjithatë zëdhënësi i Qeverisë Gjorgiev nuk precizoi nëse me formulimin "ofendim ndaj të tjerëve" nënkuptohen edhe fyerjet në bazë nacionale dhe fetare, që zakonisht u bëhen shqiptarëve në ndeshjet sportive të klubeve apo ndeshjeve të reprezentacioneve të Maqedonisë në futboll, basketboll dhe hendboll. Georgiev tha se çështja e interpretimit të rasteve konkrete është çështje e gjykatës. Me propozim ndryshimet e reja të Kodit Penal, dënim nga 6 muaj deri në 5 vjet burg, parashihet edhe për organizatorët apo pjesëmarrësit e trukimit të ndeshjeve. Benjamin Arifi

Share This Video


Download

  
Report form