Kriza politike, intensifikon ndërkombëtarët

alsatmtv 2015-08-21

Views 0

Stefano Sanino mbledh në zhuritje të gjithë përfaqësuesit ndërkombëtar në vend, për krizën politike në Maqedoni. Në Zyrat e BE-së gjatë pasditeve është zhvilluar raundi i dytë i takimeve të Drejtorit për Zgjerim të Komisionit Europian, i cili sot është ulur me të gjitha palët politike, lidhur me zgjidhjen e krizës. Pas takimeve me Presidentin Ivanov, kryeministrin Gruevski, kreun e BDI-së Ahmeti, së fundi, pranë zyrës së BE-së është parë edhe ambasadori amerikan në Shkup, Pol Uollers. Deri tani, nuk ka njoftime zyrtare nga takimet, madje ato janë mbajtur thuajse në mënyrë të fshehtë. ALSAT arriti të filmonte vetëm një pamje të ardhjes së Saninos pranë zyrave të BE-së ndërsa vetë palët politike nuk kanë dhënë asnjë detaj. Ende mbetet e paqartë nëse Sanino ka zhvilluar takim me Cërvnkovskin. Megjithatë, një gjë është e qartë. Pas takimit, Ali Ahmeti konstatoi se nesër është afati i fundit për zgjidhjen e krizës politike në vend.

"Ne jemi në vijë të kuqe tani, nëse edhe deri nesër nuk ka ndonjë përgjigje optimiste mendoj se nuk do të bëhet mirë për opozitën, nuk kam informacion nga opozita a do të marrë pjesë në zgjedhje apo jo. Opozita nuk duhet të bëjë gabim, t'i bojkotoj zgjedhjet lokale sepse është në dëm të vendit, është në dëm të proceseve euro-integruese. Dihet kushtet e opozitës, ato kanë qenë publike, zgjedhjet e parakohshme. Zgjedhjet e parakohshme janë të papranueshme për BDI-në", deklaroi Ali Ahmeti, kryetar i BDI-së.
Edhe Komisioneri Fyle kishte caktuar më herët, si datë finale për zgjidhjen e krizës, të mërkurën. Brukseli këmbëngul për kthimin e opozitës në Kuvend dhe pjesëmarrjen e saj në zgjedhjet lokale, si dhe krijimin e komisionit hetimor që do të zbardhte ngjarjet e 24 dhjetorit në parlament, me qëllim që vendi të mos rrezikojë një raport negativ në pranverë, nga i cili varet data e negociatave.

Nesër pritet që në Maqedoni të zbresë një tjetër përfaqësues i BE-së raportuesi për Maqedoninë në PE, Riçard Houit, ndërsa javën tjetër, vetë Komisioneri Fyle do të konstatojë progresin e marrëdhënieve mes qeverisë dhe opozitës, në rast të zgjidhjes së krizës nesër. Semra Jakupi

Share This Video


Download

  
Report form