"Dëshiroj të them publikisht, në mënyrë të vendosur, të prerë... Qëndrimi ynë është "Nuk ka marrëveshje për zgjedhje të parakohshme'", Kështu u shpreh kreu i VMRO DPMNE-së dhe njëkohësisht Kryeministri, Nikolla Gruevski. Sipas tij vendi po ballafaqohet me krizë politike e cila rrezikon që vendi për herë të parë pas 5 vjetësh, të marrë raport negativ nga Komisioni Evropian. Gruevski madje nuk përjashtoi mundësinë që vendi të humbë edhe rekomandimin për hapjen e negociatave. Faji, për gjithë këto, sipas tij, bie mbi opozitën dhe Cërvenkovskin. Gruevski tha se Cërvenkovski ka vënë peng shtetin për të shpëtuar karrierën e tij politike.
"Tani gjendemi para një momenti shumë të komplikuar nga historia jonë më e re. Opozita paralajmëron bojkot të zgjedhjeve duke shënuar precedentë të rrezikshëm. Kushtëzon, kërcënon, doli nga parlamenti dhe po krijon kaos gjithkund. E prishi imazhin e vendin jashtë duke realizuar një axhendë turpi përmes liderit të tyre. Paralajmërohet për herë të parë pas 5 vjetësh, raport negativ i KE-së për Maqedoninë. Është e mundur edhe humbja e rekomandimit", tha Nikolla Gruevski, kryetar i VMRO-DPMNE-së.
Megjithatë, Gruevski sërish i bëri thirrje opozitës që të marrë pjesë në zgjedhjet e ardhshme lokale, për të cilat garantoi se do të mbahen të lira dhe demokratike.
"Dëshiroj t'i bëjë thirrje opozitës që të hyjë në procesin zgjedhor dhe të marrë pjesë në zgjedhjet lokale të cilat do të organizohen të lira dhe demokratike, sipas të gjitha standardeve ndërkombëtare. Në vend të projekteve dhe programeve për zgjidhjen e problemeve të qytetarëve siç bëjmë ne, ata në rast se dëshirojnë, le të flasin për liri, revolucione, Millosheviqin, Çausheskun, Hitlerin, siç më kanë quajtur deri tani dhe, le ta shohin nëse populli do i mbështesë, apo do pranojë hiletë dhe ofendimet e tyre", tha Nikolla Gruevski, kryetar i VMRO-DPMNE-së.
Gruevski numëroi edhe projektet që ka realizuar qeveria e tij, duke e paragonuar me opozitën, e cila bredh rrugëve me makina luksoze. Këto komente Gruevski i bëri pas nënshkrimit të deklaratës për bashkim, partneritet dhe zhvillim lokal, në prag të zgjedhjeve lokale. Deklarata u firmos me të gjithë partnerët e koalicionit 'Për një Maqedoni më të mirë'. Bedri Rexhallari