Gruevski dhe Cërvenkovski deri të mërkurën duhet t'i sheshojnë mosmarrëveshjet. Ky është afat i fundit që ua caktoi komisioneri për zgjerim Shtefan Fyle, dy liderëve, të VMRO DPMNE-së dhe LSDM-së. Mësohet se Fyle këtë fundjave ka kontaktuar me telefon Gruevskin dhe Cërvenkovsin, të cilëve ua ka tërhequr vërejtjen për pasojat e krizës politike ndaj raportit pranveror të Komisionit Evropian mbi përparimin e vendit. Alsat mëson se për këtë arsye nesër në Shkup do të mbërrijë edhe drejtori për zgjerim i KE-së Stefano Sanino, i cili konsiderohet si krahu i djathtë i Fyles. Sanino pritet që të realizojë takime të ndara me presidentin Ivanov, kryeministrin Gruevski, liderin e opozitës maqedonase Branko Cërvenkovski si dhe kreun e BDI-së Ali Ahmeti. Përfaqësuesit evropian insistojnë që në zgjedhjet lokale të marrë pjesë dhe opozita, ndërkaq të mos hiqet dorë edhe nga krijimi i Komisionit hetimor që do të zbardhte incidentet e 24 dhjetorit. BE madje disa herë tërhoqi vërejtjen për respektimin e dialogut politik pasi në të kundërtën vendi do të kthehej shumë prapa. Por nga LSDM, sot thanë se për vlerësimet eventuale negative në raportin e progresit përgjegjës është vetëm Nikolla Greuvski. LSDM thotë se është e gatshme për dialog që do të çonte në zgjidhje të krizës.
"Ne, jemi të gatshëm për dialog me të cilin do të gjejmë mënyrën e duhur për të dalë nga kriza, afatet janë të shkurtra dhe po rrjedhin. Ne dorëheqjet e paralajmëruara do ti deponojmë në momentin kur do të bëhet e qartë se Gruevski do të përcaktohet për një aventurë të çmendur politike dhe do ta fut Maqedoninë në një krizë akoma më të thellë politike por atëherë do ta mbajë përgjegjësinë e plotë në kurrizin e tij", tha Vesna Bendevska, LSDM.
Një grup i deputetëve të Parlamentit Evropian nesër do të realizojnë takime me përfaqësuesit shtetërorë, ndërkaq nga 13 -15 shkurt në vizitë do të qëndrojë raportuesi për Maqedoninë në Parlamentin Evropian Riçard Houit. Nga ana tjetër edhe komisionari për zgjerim Shtefan Fyle me 19-tin, e këtij muaji do të vizitojë vendin për t'a konstatuar përparimin e arritur në marrëdhëniet mes pozitës dhe opozitës. Semra Jakupi