Kanë vazhduar reagimet rreth listës zgjedhore nga ana e ekspertëve për mbrojtjen e të drejtave të njeriut. Profesori universitar Bekim Kadriu thekson se ky nen i kodit zgjedhor është në kundërshtim me Kushtetutën dhe si i tillë duhet të shfuqizohet. Ai paralajmëroi që së shpejti bashkë me profesorë tjerë universitare do të ngrenë iniciativë para gjykatës kushtetuese. Sipas tij ligjet nuk duhet të kufizojnë të drejtat Kushtetuese dhe se dokumentet biometrike nuk duhet të jetë kusht për të drejtën zgjedhore.
"Dokumentacioni biometrik është i nevojshëm që e drejta zgjedhore të realizohet në praktik që do të dilni ose nuk do të dilni ditën e diel në votime por nuk duhet të jetë kusht që këto persona të jenë në regjistër ose të mos jenë . Këto persona doemos të jenë në regjistër zgjedhor për shkak se janë shtetas të Maqedonisë, janë të moshës madhore dhe normalisht kanë zotësi veprimi. Çdo gjë jashtë kësaj është shkelje e kushtetues dhe nuk duhet te ekzistoj si e tille... Unë jam në biseda me disa koleg që të iniciojmë një procedurë të tillë për shkak se dispozita e tillë nuk shkon në favor të qytetarëve, nuk shkon në favor të askujt", tha Bekim Kadriu, ekspert.
Ai tha se, nëse kësaj i shtohet edhe numri etnik i votuesve që përjashtohen nga regjistri zgjedhor atëherë kjo paraqet edhe diskriminim etnik për të cilin duhet marr masa edhe institucionet tjera.
"Një analizë e mirë do të tregoj se sa persona janë çregjistruar dhe sa prej tyre janë shqiptar. Nëse numri është më i madh i shqiptarëve atëherë dispozita është edhe diskriminuese dhe mund të merren edhe masa tjera edhe para gjykatës kushtetuese dhe institucioneve tjera si avokati i popullit komisioni anti diskriminim", tha Kadriu.
Por për MPB-në 120 mijë qytetarë pa dokumente biometrike nuk është ndonjë numër i madh. Zëdhënësi i policisë njofton se sportelet e këtij dikasteri punojnë me kapacitet të plotë për u dalë në ndihmë qytetarëve.
"Për fat të keq situata është kjo gjegjësisht ekziston numër i caktuar qytetarësh që nuk është aq i madh që akoma nuk i kanë nderuar dokumentet e vjetra me të reja ndërsa t;ju përkujtojmë se tani është viti i 7 që jepen dokumente të reja biometrike", tha Ivo Kotevski, zëdhënës I MPB.
Sipas të dhënave të fundit të MPB mbi 120 mijë qytetar shtetas të Maqedonisë janë me dokumente të vjetra në territorin e Maqedonisë dhe jashtë saj. Gjyltene Rexhallari