Orav: Komisioni anketues pikënisje për zgjidhjen e krizës

alsatmtv 2015-08-21

Views 2

Komisioni anketues të cilin propozoi kreu i shtetit, është zgjidhja më e mirë për kapërcimin e krizës politike. Kështu ka deklaruar ambasadori i BE në Shkup Aivo Orav në intervistën javore të Radios Evropa e Lirë. Video incizimet që i shohim çdo ditë janë shqetësuese prandaj është e nevojshme që ky komision të sqaroj se çfarë ka ndodhur para dhe pas ngjarjes së 24 dhjetorit, u shpreh Orav . Sipas tij bisedimet e liderëve politik duhet të vazhdojnë dhe të japin rezultate. Përsëritja e vazhdueshme e pozicioneve të palëve, konsideron më tej Orav nuk është konstruktive por duhet gjetur mënyra si vendi të ecë para.

"I pamë video incizimet nga 24 dhjetori dhe të njëjtat nuk ishin shumë inkurajuese megjithatë çdo ditë jemi dëshmitar të video incizimeve televizive. Nëse ekziston problem, me rëndësi është që të verifikohen të gjitha faktet dhe të sqarohet çfarë ka ndodhur, çfarë rregulla dhe procedura janë shkelur, çfarë ka ndodhur prapa skenave, çfarë ka ndodhur më herët dhe çfarë ndodh pas ngjarjes. Ato çështje nuk i shohim në TV. Në këtë drejtim ky komision anketues mund të jetë shumë i mirë për verifikimin e fakteve dhe të ndërpres incidente të ngjashme në të ardhmen", deklaroi Aivo Orav, Ambasador i BE-së në Shkup

Euro-ambasadori shprehu keqardhje për ndërprerjen e bisedimeve mes qeverisë dhe shoqatës së gazetarëve duke theksuar se pushteti duhet të gjej mënyra për ripërtëritjen e dialogut. Ai tha se BE ndjek me vëmendje lirinë e mediave e cila është edhe pjesë e dialogut në nivel të lartë ndërsa dhe ka nënvizuar edhe uljen e indeksit të lirisë së mediave.

"Kjo është një pyetje e vështirë pasi ka indeks ndërsa vlerësimet tona mund të jenë ndryshe nga indeksi, sido që të jetë i marrim sinjalet dhe me vëmendje i përcjellim ndodhitë. Kemi kontakte të afërta me njerëz në qeveri që janë përgjegjës për çështjet e mediave dhe kuptohet mbajmë kontakte me shoqatën e gazetarëve, OJQ --të dhe opozitën", tha Aivo Orav, Ambasador i BE-së në Shkup.

Sa i përket çështjes së emrit, Orav shpreson që palët e përfshira do të shfrytëzojnë mundësinë e krijuar kohëve të fundit në drejtim të zgjidhjes së këtij problem.

"Javët e kaluara ishim dëshmitar të dinamikës, që është mirë. Personalisht mendoj se krijohen mundësi dhe shpresoj se të gjitha palët e përfshira do ta shfrytëzojnë mundësin derisa e njëjta akoma ekziston", u shpreh Aivo Orav, Ambasador i BE-së në Shkup.

Orav vlerëson se kriza politike dhe përgatitja për zgjedhje lokale po e largon vendin nga agjenda evropiane. Edhe pse një pjesë e reformave është përmbushur akoma ka çështje të hapura që duhet përmbushur si ligji për media, raporti për Marrëveshjen e Ohrit dhe të tjera. Ai shpreson që qeveria të finalizoj këto reforma para përgatitjes së raportit. Gjyltene Rexhallari

Share This Video


Download

  
Report form