Radikalizohet greva e punëtorëve të Ujësjellësit të Tetovës

alsatmtv 2015-08-21

Views 0

Punëtorët e Ujësjellësit të Tetovës, sikurse patën paralajmëruar, bllokuan derën kryesore të zyrave të kësaj Ndërmarrjeje Publike, duke kërkuar t'iu paguhen 4 rrogat e prapambetura dhe sigurimeve. Punëtorëve në fjalë, sot iu bashkëngjitën edhe ata të reparteve të tjera të të njëjtës Ndërmarrje, përfshi edhe administratën e saj, duke thënë publikisht, se nga sot, e gjithë Ndërmarrja Publike e Tetovës, është në grevë.
"Ne do të vazhdojmë deri sa të na plotësohen kushtet ,siç kemi informuar edhe në media. Kërkesa jonë është pagesa e 4 rrogave dhe sigurimeve shëndetësore", theksoi një punonjës grevist.
"3 rroga jemi në minus, dhe që nga muaji i 8 nuk na paguhen as sigurimet shëndetësore. Do të vazhdojmë kështu, deri sa të na jepen rrogat. Sot protestojnë ujësjellësi , reparti i gjelbërimit, mekanizimi dhe administrata", u shpreh një tjetër grevist.
"Ne duam 4 rrogat dhe sigurimet të na paguhet se nuk shkon më kështu.. Nuk mund të funksionojmë më kështu në një ndërmarrje si kjo. Pritëm rezultate, por deri sot asgjë, mbi 300 punëtorë jemi në protesta dhe kërkojmë të drejtat tona. Duhet të ndërmerret diçka!", tha njw greviste.
Nga dita e sotme, qyteti i Tetovës ka hyrë zyrtarisht në fazën e rrezikut të mbytjes në mbeturina dhe papastërti, ndërsa dëmet eventuale në ujësjellës-kanalizime, do të mbeten në mëshirë të fatit, pa u rregulluar. Drejtuesi i Ndërmarrjes Publike të Tetovës, Ajet Murati edhe pse paralajmëroi konferencë për median, e anuloi atë brenda orës, me arsyetimin se do të njoftojë me shkrim lidhur me ecurinë e zhvillimeve. Deri tani, nuk ka as njoftim me shkrim. Përmes telefonit, ai premtoi se brenda kësaj jave, punëtorëve grevistë do t'iu lëshohet njëra rrogë, ndërsa javën tjetër, e dyta. Bashkim Sulejmani

Share This Video


Download

  
Report form