Skandali i shitjes së armëve investiguar nga emisioni "Urbanika" në televizionin A1Report, ka nxjerrë në pah se vetëm me 12.000 lekë mund të pajisesh me një pistoletë pa asnjë leje, por vetëm me një kartë identiteti.
Institucionet përgjegjëse për sigurinë dhe rendit heshtin, ndërsa eksperti kriminalistik Shkëlzen Rexhepi në një intervistë për A1Report thotë se tregtia e armëve qofshin dhe konvencionale është kategorikisht e ndaluar të bëhet pa kontroll dhe leje.
"Ligji për përdorimin e armëve të zjarrit normon mënyrën sesi duhet të përdoren armët e zjarrit nga aktorët që janë të përcaktuar me ligj, duke filluar këtu nga forcat e armatosura, forcat e policisë, si dhe kompanitë e ruajtjes dhe sigurisë fizike. Gjithashtu ligji përcakton edhe një kategori personash, të cilët janë biznesmenë që mund t'u lindë nevoja që në moment të caktuar të jenë armatosur. Në mënyrë absolute asnjë nuk blen armë nëse nuk është kategori e përcaktuar me ligj", u shpreh Rexhepi.