Askush nga ndërmarrja Publike 'Ujësjellësi dhe Kanalizimi' sot nuk u prononcua lidhur me mosrespektimin e Ligjit për përdorimin e gjuhëve, gjegjësisht aplikimin e gjuhës shqipe. Nga kjo ndërmarrje thanë se kompetentë për këtë është drejtori Stojan Srbinovski i cili me ekipin e tij ishin nisur në Ohër që të festojnë ditën e Ujit të Bekuar, hedhjes së Kryqit në liqen.
"Ndërmarrja Publike 'Ujësjellësi dhe Kanalizimi'dhe drejtori i saj, Stojan Srbinovski, heshtin lidhur me shkeljen e Ligjit për përdorimin e gjuhëve në faturat që ata ua nisin qytetarëve, marrëveshjet që lidhin qytetarët me institucionin në fjalë dhe për vetë tabelën në hyrje të kësaj ndërmarrjeje dhe ueb-faqen e tyre që është vetëm në gjuhën maqedonase dhe alfabetin e saj cirilik".
Ndërkohë qytetarët që anketoi ALSAT-M para sporteleve të Ndërmarrjes Publike 'Ujësjellësi dhe Kanalizimi' thonë se gjuha shqipe duhet të përdoret nga ky institucion ashtu siç e parasheh ligji dhe Kushtetuta.
"Duke pasur parasysh se në Shkup duhet të jetë edhe gjuha shqipe zyrtare, faturat duhet të jenë edhe në shqip. Më duket se ju si gazetar keni një rol shumë të rëndësishëm në këtë aspekt, atë duhet ta bëjë politika, por tash nuk e dij..."
"Unë mendojë se duhet të respektohet ligji që edhe Ndërmarrja Publike 'Ujësjellësi dhe Kanalizime' të funksionojë në pajtim me ligjin që d.m.th faturat duhet të jenë në dy gjuhë. Mua asgjë nuk më pengon, duhet të jetë ashtu, meqë është e rregulluar me ligj dhe Kushtetutë kjo punë, ata e kanë patjetër të respektojnë këto të fundit...".
"Partitë tona, ato duhet në pushtet të jenë më të pastërta...".
"Ka njerëz që nuk i kuptojnë këto fatura, mendojë se ka problem që nuk janë në gjuhën tonë, dhe pse mos të jenë ashtu kur ligji parasheh ashtu, kurse ai nuk praktikohet në përditshmëri..."
Mbetet të shihet nëse do ta pres i njëjti fat edhe drejtorin e Ndërmarrjes Publike 'Ujësjellësi dhe Kanalizimi', Stojan Srbinovski sikur kolegun e tij nga NTP-Shkup, Misho Nikollov i cili u paditë një ditë më parë për shkeljen e ligjit për përdorimin e gjuhëve. Mos aplikimi i gjuhës shqipe nga drejtori i Ndërmarrjes Publike 'Ujësjellësi dhe Kanalizimi', në bazë të dispozitave ligjore në fuqi mund të ndiqet penalisht për shkelje të ligjit për përdorimin e gjuhëve dhe mund të dënohet deri në 5 vjet burg në bazë të nenit 138 të Kodit penal. Rikujtojmë se çdo qytetarë ka të drejtë të padisë drejtuesit e institucioneve që shkelin dispozitat ligjore që parashohin përdorimin e gjuhëve zyrtare në Maqedoni. Valmir Kuçi