Zejet në Çarshi, drejt zhdukjes totale

alsatmtv 2015-08-21

Views 1

Ky njeri punon prej 45 vjetësh si teneqexhi. Nga ky dyqan në Çarsh, ai është përkujdesur për familjen, ka ndërtuar shtëpi, por tashmë askush nga familja e tij nuk dëshiron ta vazhdojë këtë zanat. Ai kujton se interesi dhe kohët kanë ndryshuar, madje në këtë pjesë të Çarshisë dikur ka pasur 27 teneqexhinj, tani, vetëm disa kanë mbetur.

"Është duke vdekur për shkak se të rinjtë nuk duan të punojnë. Kallajxhinj nuk ka asnjë, samarxhinj nuk ka asnjë, teneqepunues nuk ka. Katër teneqexhinj në gjithë Shkupin".

Askush nuk dëshiron të jetë më, as farkëtar. Të njëjtin hall ka edhe ky njeri i cili për 20 vjet me radhë, në dyqanin e errët në Çarshi, ka fituar kafshatën e bukës nga zanati që tani po vdes.

"Stërgjyshi im, gjyshi im, babai im dhe unë, brezi i katërt jemi në këtë zeje. Dhe tash është duke vdekur, nuk do të ketë se kush ta vazhdojë. Djali im nuk dëshiron ta punojë këtë zanat".

As që mund të numërojë se sa vegla bujqësore, lopata, kasma, sëpata, ka prodhuar në këtë dyqan -- por tani zanati është në shuarje, për shkak të modernizimit në bujqësi. Nga ana tjetër, zanatet po shuhen edhe nga kriza ekonomike. Në popull ndihet skamja, shprehen zejtarët. Librat thuajse nuk lexohen, shprehen ata që shesin libra në Çarshi.

Në kafenetë e Çarshisë -- kërkohet edhe ushqim më i lirë... Nuk ka luks.

"Çarshia funksionon, populli është këtu, por shihet se njerëzit nuk kanë para. Kërkojnë më lirë, më modest".

Varfëria lexohet nga fytyrat e qytetarëve por edhe në këpucët e tyre, shprehet ky njeri i cili për 35 vjet me radhë, ka lustruar këpucë në rrugicat e kalldrëmta në Çarshinë e Vjetër. Ai shprehet se kalimtarët nuk shqetësohen më për këpucët, pasi kanë halle më të mëdha. Brenda ditës ai mezi fiton 200 denarë, ndërsa bakshishin më të madh e ka marrë nga presidenti Ivanov, kur ia pati lustruar këpucët.

"Çarshia ka qenë shumë më mirë, më parë. Të martën dhe të premten nuk mund të kalohej nga fluksi i njerëzve. Tani populli nuk vjen, nuk ka para. Rrallë kalon, përveç të premtes kur shkohet në xhami. Mua këtu më njohin të gjithë, madje edhe presidenti Ivanov më njeh. I lustrova këpucët. Më dha 150 denarë, nuk më dha shumë para, por më dha 150 denarë", tha një pastrues i këpucëve.
Çarshia e Vjetër ndoshta fitoi pamje të re, drita të reja, por, megjithë këto përpjekje, zejtarët mbeten me të njëjtat halle. Zanatet po vdesin dhe askush nuk dëshiron të punojë. Rrjedhimisht, nuk ka interes as për subvencionet shtetërore. Natasha Stojanovska

Share This Video


Download

  
Report form