Kërkesa e opozitës për zgjedhje të parakohshme parlamentare së bashku me ato lokale do të jetë teorikisht e realizueshme deri të hënën, më 14 janar, kur edhe është afati i fundit për shpalljen e tyre, që të mbahen më 24 mars,tsë bashku me ato lokale. Kështu thotë për Alsat M nënkryetari i Komisionit Shtetëror Zgjedhor Subhi Jakupi duke u mbështetuar në afatët e përcaktuara ligjore
"Zgjedhjet, qofshin ato të parakohshme ose të rregullta, duhet të shpallen 70 deri 90 ditë para datës së mbajtjes së zgjedhjeve, që do të thotë, në bazë në kalkulimeve që bëhen, nëse eventualisht mendohet që të ketë kështu lloj zgjedhje, të parakohshme parlamentare, atëherë dita e fundit duhet të jetë 14 janari i vitit 2013, që të mundet në afatet e shkurtuara që i ka, që të arrihet dita e shpallur veçmë për zgjedhjet lokale, që është 24 marsi i vitit 2013", tha Subhi Jakupi, nënkryetar i KSHZ-së
Kjo nënkupton se një prej kërkesave kryesore të partisë opozitare LSDM, sipas të gjitha gjasave do të bie poshtë, sepse dy ditë para afatit përfundimtar, nuk ka asnjë tendencë se partitë në pushtet po mendojnë për shpalljen e zgjedhjeve të parakohshme parlamentare. LSDM-ja e Branko Cërvenkovskit, pas mbledhjes së Komitetit Qendror të partisë, kushtëzoi pjesëmarrjen në zgjedhjet lokale me disa kërkesa, mes të cilave edhe shpalljen e zgjedhjeve të parakohshme parlamentare në terminin e njëjtë me ato lokale. Nga ana tjetër, nënkryetari i KSHZ-së Subhi Jakupi thekson se nëse në moment të fundit ndodh që të shpallen zgjedhje të dyfishta, do të jetë sfidë për Komisionin Shtetëror Zgjedhor, por beson se do të arrijnë që të organizojnë me sukses zgjedhjet.
"Ne nuk mund të themi se jemi të përgatitur, normal që jemi të përgatitur për zgjedhjet lokale, por nëse ndodh një gjë e kësaj natyre, normal që do të jetë një sfidë më e madhe për organizimin e këtyre zgjedhjeve, por gjithsesi ne përsëri do të jemi në krye të detyrave dhe sfidave që mund eventualisht të na jepen, atëherë mendoj se mund të përballemi me një lloj të operacionit të këtillë", u shpreh Subhi Jakupi, nënkryetar i KSHZ-së.
Kryetari i Kuvendit Trajko Veljanovski nënshkroi dje vendimin për mbajtjen e zgjedhjeve lokale, të cilat i caktoi më 24 mars të këtij viti. VMRO DPMNE akoma zyrtarisht nuk është përgjigjur në lidhje me kërkesat e opozitës për pjesëmarrje në zgjedhjet lokale. Benjamin Arifi