Me doza optimiste janë përcjellur takimet dhe mesazhet nga vizita e ndërmjetësuesit për çështjen e emrit Metju Nimic në Athinë dhe Shkup. Autoritetet e dy shteteve e kanë siguruar atë se ka vullnet që kontesti me emrin të zgjidhet, transmetojnë mediat greke. Shumica e mediave në Greqi thuajse pa komente transmetojnë raportin e agjencisë shtetërore të lajmeve ANA -- MPA, e cila thekson se autoritetet e dy shteteve kanë treguar vullnet për zgjidhjen e çështjes së emrit. Gazeta "Etnos" transmeton deklaratën e Nimic se "dy palët janë afër një qasjeje konstruktive dhe serioze ndaj problemit me emrin" dhe se në Nju Jork shkon i inkurajuar me premtimin se do të intensifikon procesin negociues. "Elefterotipija" nënvizon se Nimic pozitivisht u përgjigj në pyetjen nëse beson se pas 20 vitesh ka gjasa që të gjindet zgjidhje për emrin. Me titull "Nimic me ide të vjetra në pako të re" , "To Vima" shkruan se idetë e Nimicit për të cilat është biseduar në Athinë dhe Shkup nuk janë të reja por janë kombinim i mendimeve të vjetra në paketim të ri. Ky konkluzion vjen pas deklaratave të tij në Shkup pas takimeve me kreun shtetëror, përfundon gazeta. "Ta Nea", duke cituar Nimicin përkujton se ai në këtë çështje punon nga viti 1994 dhe transmeton deklaratën e tij se nuk bëhet fjalë për ide të reja, por se çështjet zhvillohen dhe çdoherë ka mundësi për kreativitet që të arrihet konkluzion pozitiv. "Katimerini" publikoi komentin në të cilin pyetet "Pse erdhi Nimic" duke u përgjigjur se qëllimi i vizitës ka qenë "që të mundohet ta mban në jetë procesin negociues i cili po zbehet, dhe të bisedon me dy palët për ide se si të afrohen njëra afër tjetrës, ose si "të gjenden". Gazeta thekson se që të arrihet marrëveshje njëra palë duhet të heq dorë nga "vijat e kuqe", por pyetja është kur? Përveç raporteve për vizitën e Nimicit në Shkup, të gjithë mediat greke kanë transmetuar edhe deklaratën e zëdhënësit të Departamentit të Shtetit Viktoria Nuland se SHBA çdoherë ka përkrahur përpjekjet e Nimic për zgjidhjen e kontestit shumëvjeçar. Benjamin Arifi