Banorët e rrugës 'Xhon Kenedi' të Komunës së Çairit apelojnë për vendosje të ndalesave në rrugë, të njohur ndryshe si policë të shtrirë, por Qyteti i Shkupit nuk e merr parasysh kërkesën e tyre. Banorët e kësaj pjese të qytetit thonë se pikat më problematike mbeten ato në afërsi të shkollës fillore 'Vasil Gllavinov' dhe asaj të mesme 'Cvetan Dimov'.
"Fëmijët duhet të jenë më të sigurt, por edhe shoferët duhet të jenë më të kujdesshëm ndaj fëmijëve. Por edhe shteti duhet të kujdeset, duhet të vendosen policë që nuk janë të dëmshëm as për fëmijët e as për makinat. Këtu gjithmonë ka pasur incidente, para 10 viteve edhe fëmijën tim e kanë shkelur këtu dhe ia thyen këmbën. Askënd nuk mundesh ta bësh fajtor por këtu duhet të lëvizet me shpejtësi 30 deri 40".
"Duhet të ketë, dhe kjo është mënyra më e sigurt për shkak se fëmijët nuk kanë ndalesa, nuk dinë si të ndalen, të rriturit e dinë mirëpo fëmijët jo, mendja e fëmijëve nuk është e njëjtë me të rriturve. Policët e shtrirë duhet të vendosen këtu".
Banorët thonë gjithashtu se janë të gatshëm të ndihmojnë edhe ata si komunitet që jetojnë në këtë rrugë.
"Nëse flasim realisht në rrugën 'Xhon Kenedi' ka shumë problem, problemi numër një është se vet shoferët vozisin shumë shpejt. Prej lart, kur shkojnë teposhtë nuk e dinë që ka shkolla edhe pse tash i kanë vendos ato tabelat se është shkolla fillore "Vasil Gllavinov". Mendoj se është mirë m'i vendos policët në rrugë sepse sado kudo do t'i frenojnë shoferët të cilët duhet me kuptu se fëmijët janë këtu. Ka pas shumë ngjarje kur i kanë godit fëmijët".
"Unë mendoj se duhet të ketë, nuk është keq për shkak se këtu është shkolla dhe çerdhja për fëmijë".
"Në afërsi të shkollës patjetër duhet të ketë, ndoshta jo pikërisht këtu por mundet atje pak më lartë ose më poshtë".
Nga Qyteti i Shkupit nuk arritëm të marrim asnjë përgjigje lidhur me këtë çështje, me arsyetimin se përgjegjësit për këtë sektorë janë të zënë me obligime të tjera.
Melihate Rustemi