Qytetarët jashtë Kuvendit, pyetje Gruevskit

alsatmtv 2015-08-21

Views 1

Paralelisht me seancën parlamentare ku në rend dite ishin pyetjet e deputetëve, në organizim të LSDM-së opozitare qytetarët jashtë Kuvendit parashtruan disa pyetje për kryeministrin Nikolla Gruevski dhe ministrat e kabinetit të tij. LSDM-ja këtë aktivitet e quajti si "Kuvend i Qytetarëve". Përfaqësuesja e personave të falimentuar nga Kumanova, Liljana Georgievska pyeti kryeministrin Gruevski se kur do ti dëmshpërblejë të falimentuarit.

"Pyetja ime për ju kryeministër është se deri kur mendoni të na ndani dhe kur mendoni të na dëmshpërbleni, a është larguar opozita nga Kuvendi vetëm që të mos miratohet ligji për personat e falimentuar dhe branitellat? ", u shpreh Liljana Georgievska, përfaqësuese e personave të falimentuar nga Kumanova.

Dushko Ilievski nga qyteti i Manastirit tha se ka ngritur padi ndaj kryeministrit Gruevski për shpifje dhe gënjeshtra ndaj tij, ndaj dhe pyeti publikisht nëse kryeministri do të merr pjesë në seancat gjyqësore.

"Gruevski ju personalisht më akuzuat se jam kultivues i mariuanës, por u gënjyet, ju e bëtë familjen time kriminale, tash mora vendim gjyqësor të vërtetuar nga Gjykata e Apelit, a do të më kërkoni falje tash kryeministër, a do të vini në gjyq pasi ju akuzoj për publikimin e gënjeshtrave dhe manipulimeve, kjo ishte diktatura që e përjetova unë para dy viteve drejtpërdrejtë nga Nikolla Gruevski i cili direkt më akuzoi në Manastir se kam kultivuar mariuanë", tha Dushko Ilievski, qytetar nga Manastiri.

Përfaqësuesi i lëvizjes 'Aman' Aleksandar Goçev pyeti kryeministrin Gruevski për shtrenjtimin e rrymës, ndërsa Nikolla Naumovski pyeti Jankullovskën për dhunën ndaj deputetëve dhe gazetarëve.

"Zoti Gruevski për gjashtë vite asnjë denarë nuk investuat në objekt energjetik. Për gjashtë vite as gazifikim e as burime të qëndrueshme të energjisë, ju pyes, remontin që e bëni në REK Manastir me 70 milion euro, është vetëm larje parash, më pak prodhim të rrymës dhe thyerje më të madhe të dinjitetit të qytetarëve", theksoi Aleksandar Goçev, përfaqësues i 'Aman'.

"Përnjëherë filluan të paraqiten rasti si Trajan Beqirov, rrahja në sheshin e Shkupit, rrahja e kameramanit të Alsat M, ndodhën shumë raste të dhunës ndaj gazetarëve, mos ta harrojmë Martin Neshkovskin, ndodhën shumë tragjedi e dhunë për cilën autoritetet, posaçërisht Gordana Jankullovska e kishte përgjigjen standarde nuk e di dhe më vjen keq, unë sot kam pyetje për Gordana Jankullovskën, a e ka përgjigjen edhe për këtë skandal nuk e di dhe më vjen keq për atë që ndodhi? ", pyeti Nikolla Naumovski, përfaqësues i lëvizjes 'Sheshi Liria'.

Pjesëmarrës në këtë aktivitet ishin deputetët e opozitës të cilët që nga dita e hënë paralajmëruan se nuk do të kthehen më në Kuvend. Shkëlzen Aqifi

Share This Video


Download

  
Report form