Zhvillimet e djeshme në Kuvend dhe jashtë tij janë tragjike për demokracinë e vogël që ka Maqedonia. Me zhvillimet e një dite më parë Maqedonia veçmë është në krizë të thellë politike. Kështu vlerëson analistja Biljana Vankovska, sipas së cilës përgjegjësia më e madhe bie mbi pushtetin, kryeministrin Gruevski dhe krye-parlamentarin Veljanovski. Vankovska vlerëson se buxheti është miratuar jashtë çdo kornize ligjore.
"Gjëja më e tmerrshme ishte trajtimi i deputetëve, ishim dëshmitarë të cirkut mes deputetëve, por kur u përfshi edhe sigurimi, persona të cilët atje janë të pengojnë rrahje, të pengojnë vepra penale, ata në fakt u bënë pjesëmarrës në atë punë. Nuk mund të kuptoj se aq trajtim jo dinjitoz përjetuan deputetët, posaçërisht deputetet, nuk mund të kuptoj si zv/kryeministrja ishte tërhequr zvarrë dhe gjithsesi se trajtimi i gazetarëve është ajo për cilën ju si gazetarë duhet të reagoni ashpër. Është fakt se Maqedonia po hyn në krizë shumë të thellë politike, muajt e ardhshëm ku duhej të përgatiteshim për zgjedhje lokale ndoshta edhe ato të parakohshme parlamentare, tash të gjitha mekanizmat do të përdoren pasi kam përshtypjen se dyja palët janë të përgatitur në gjithçka edhe atë nuk e fshehin", deklaroi Biljana Vankovska, eksperte.
Vankovska vlerëson se paraqitja e mbrëmshme e kryeministrit ishte e një lideri partie e jo burrështetas ndërsa kritikoi presidentin Ivanov i cili sipas saj mbrëmë duhej të paraqitej me qëndrim para opinionit. Vankovska vlerëson se kjo që ndodhi mbrëmë, është kthim shumë mbrapa për Maqedoninë dhe se në këtë moment sipas saj agjenda evropiane as që është prioritet, pasi prioritet kryesor duhet të jetë normalizimi i shoqërisë. Analisti Suat Misini nga ana tjetër vlerëson se ajo që ndodhi mbrëmë në Kuvend ishte kulmi i gjitha paralajmërimeve se shteti një kohë të gjatë është robëruar.
"Dua të potencoj se nuk pajtohem me Branko Cërvernkovskin se mbrëmë është shkelur kushtetuta, demokracia e kështu me radhë. Ne në kontinuitet disa kohë paralajmëruam për gjendjen e shtetit të bllokuar, ajo që ndodhi mbrëmë është vetëm kulmi i kësaj teknologjie të qeverisjes që e praktikojnë partitë në pushtet, kjo ishte rezultat i gjendjes së shtetit të bllokuar dhe punët nuk mund të bëheshin më ndryshe. Shkelja e kushtetutës, ligjeve, procedurave është modus fivendi i këtij pushteti, kështu që edhe kjo procedurë jo legjitime nëpërmjet së cilës ishte miratuar buxheti, nuk mund të ndodhte më ndryshe përpos me shkeljen e procedurës. Nga ana tjetër, për herë të parë shohim një opozitë, LSDM-në e cila e gjen kuptimin e ekzistimit në një paraqitje, e cila edhe nuk duhej të ishte ndryshe", tha Suat Misini, analist
Misini vlerëson se ajo që parimisht duhet të ndodhë tani është që pushteti ta kthejë debatin në institucione, dhe jo në rrugë. Misini vlerëson se turpi që asnjëherë nuk duhet të harrohet është ai i mbrëmshmi, mënyra si u miratua buxheti, mënyra se si pushteti u soll me deputetët e opozitës dhe me gazetarët. Shkëlzen Aqifi