Greva e mjekëve, shënohet progres

alsatmtv 2015-08-21

Views 0

Ka përparim nga bisedimet e mbrëmshme të mjekëve grevistë të Sindikatës së Pavarur të Qendrës Klinike dhe ministrit të Shëndetësisë Nikolla Todorov. Në takimin e përfaqësuesve të kësaj sindikate, siç deklaroi për ALSAT M, kryetari i sindikatës Dejan Stavriq, qëndrimet mes dy palëve janë afruar më shumë, madje, ai nuk e përjashtoi mundësinë që të hënën, një marrëveshje mes dy palëve të konkretizohet. Kjo marrëveshje do të nënkuptonte edhe ndërprerjen e grevës së mjekëve.

"Nuk ka marrëveshje definitive, por bisedimet që filluan të mërkurën po shkojnë në kah shumë pozitiv... Është arritur pajtim për disa pika nga kërkesat tona. Nuk mund të japë detaje, por mund të them se ka lëshime si nga njëra anë, ashtu edhe nga tjetra, dhe ka afrim të qëndrimeve. Kështu që, mendoj se të hënën, në takimin e ardhshëm do të merremi vesh për diçka më konkrete. Varësisht nga ajo se çfarë marrëveshje do të arrihet, mund të vihet eventualisht edhe deri tek ndërprerja e grevës. Nëse pjesa më e madhe e kërkesave tona realizohen, për të cilat besojmë se ka gjasa realizimi, atëherë mund të kemi ndonjë rezultat, nëse jo atëherë vazhdojmë për çdo ditë grevën", tha Dejan Stavriq, kryetar i sindikatës së pavarur të Qendrës Klinike.

Megjithatë, mbeten ende dallimet kryesore mes ministrisë dhe Sindikatës së mjekëve. Bëhet fjalë për klauzolën e rritjes së pagave dhe modelit të pagesës sipas kontributit. Siç njofton Stavriq, mjekët kanë propozuar përpunim të modelit të pagesës sipas kontributit të propozuar nga ministria, dhe shmangien e gjobave për një periudhë të caktuar.

"Konkretisht kontestohet kërkesa për rritjen e rrogave. Atë që ministria ofroi si ofertë fillestare, ne nuk mund ta pranojmë. Këtu, mendoj se bisedimet do të zgjasin disa ditë. Ajo që momentalisht është në tavolinë, në konsultim edhe me anëtarët e sindikatës, mendojmë se është e pamjaftueshme. Ajo që gjithashtu është shumë me rëndësi, është modeli i pagesës sipas kontributit. Nëse arrijmë marrëveshje, modeli do të praktikohet në formë të caktuar, të mos penalizohet, të mos ketë gjoba për një periudhë të caktuar, ndërsa në të njëjtën kohë, të punohet në përpunimin e këtij modeli, në aspektin e ndërtimit të normave dhe kritereve që do të mundësonin karakteristikë cilësore të modelit, jo vetëm sasiore", deklaroi Dejan Stavriq, kryetar i sindikatës së pavarur të Qendrës Klinike.

Takimet mes dy grupeve negociuese do të vazhdojnë të hënën. Takimi i mbrëmshëm ishte i dyti me radhë që Sindikata e Pavarur e Qendrës Klinike vazhdon me ministrin Todorov. Megjithatë, mjekët shprehen të vendosur se pa u arritur një marrëveshje finale, greva e tyre do të vazhdojnë për çdo ditë.

Benjamin Arifi

Share This Video


Download

  
Report form
RELATED VIDEOS