Policia edhe pse ishte prezent në numër të madh në ndeshjen e djeshme të futbollit mes Teteksit dhe Shkëndisë në Gjorçe Petrov, nuk e ka vërejtur e as regjistruar incidentin me djegien e flamurit kombëtar shqiptarë nga ana e tifozëve të Teteksit. Madje nuk ka ngritur asnjë padi penale deri në këto momente edhe pse vetë thonë se janë regjistruar incidente gjatë dhe pas ndeshjes.
Këto pamje që regjistroi ekipi i televizionit ALSAT e që ishte prezent në stadiumin në Gjorçe Petrov, nuk i ka vërejtur policia, e as regjistruar Ministria e Punëve të Brendshme.
"MPB-ja nuk ka regjistruar një incident të atillë", deklaroi Liza Bendevska, zëdhënëse e SPB-Shkup.
Ndërkohë nga Sektori për Punë të Brendshme në Shkup thonë se kanë njohuri se ajo që ndodhi në terren ku persona të maskuar tentuan të sulmojnë lojtarët e Shkendisë nuk ishte e tëra, pasi pas daljes nga stadiumi tifozët maqedonas kanë sulmuar fizikisht qytetar të moshuar shqiptar që rastësisht janë gjendur në rrugë. Por edhe për këtë rast ata ende nuk kanë prova të mjaftueshme që të ngrenë padi penale.
Është prishur qetësia publike nga ana e tifozëve nëpërmjet sjelljeve të pahijshme, brohoritjeve dhe hedhjes së mjeteve piroteknike. Pak para përfundimit të ndeshjes pas shënimit të një goli nga ana e ekipit të futbollit Teteks disa tifozë kanë tentuar të futen në fushën e gjelbër e të cilët janë penguar nga sigurimi, kurse SPB-Shkup po punon në zbardhjen e plotë të rastit, theksoi Liza Bendevska.
Tifozët e bashkuar maqedonas gjatë ndeshjes së djeshme në futboll mes Teteksit dhe Shkëndisë ashtu edhe siç kishin paralajmëruar treguan 'unitetin' e tyre kundër shqiptarëve, duke e manifestuar këtë përmes lëshimit të parullave të ndryshme dhe ofendimeve sistematike para, gjatë dhe pas ndeshjes në fjalë. Incidenti i djeshëm ndëretnik në Gjorçe Petrov është vazhdimësi e asaj që ndodhi pas festimit të 100 vjetorit në SHKUP, incidentit në Bit Pazar dhe më pas rrahjes brutale të dy studentëve turq nga ana e huliganëve maqedonas vetëm se i kishin dëgjuar se flisnin në gjuhë tjetër, e që nuk ishte ajo maqedonase. Valmir Kuçi