Procesi gjyqësor për rastin 'Monstra' për vrasjen e pesëfishtë në liqenin e Smillkovës do të fillojë më 20 dhjetor. Dy javë para fillimit të këtij procesi, ministri i Drejtësisë Blerim Bexheti ka kërkuar gjykim të drejtë për rastin në fjalë. Bexheti tha se rasti 'Monstra' është një sfidë serioze për Prokurorinë dhe Gjykatën, që të eliminojnë të gjitha dyshimet e shfaqura që në fillim të këtij procesi. Bexheti kërkoi nga Prokuroria dhe Gjykata që faktet për rastin 'Monstra' t'i shqyrtojnë në bazë të drejtësisë.
"Ne duhet të krijojmë parakushte për opinionin për informim të drejtë të opinionit. Edhe në prononcimet e mëhershme për rastin 'Monstra' kam thënë dhe prapë deklaroj se pas paraqitjes së dallimeve ku është fakt që pati edhe protesta për këtë rast, para Gjykatës, para Prokurorisë është një sfidë serioze që t'i eliminojë të gjitha këto dyshime, dallime në interpretim dhe ashtu siç është në gjithë botën ashtu edhe në Maqedoni, Gjykatat duhet që në bazë të drejtësisë kur do të shqyrtohen gjitha faktet, në suaza të ligjeve dhe kushtetutës që mbi të gjitha drejtësia të jetë mbi tavolinë", deklaroi Blerim Bexheti, ministër i drejtësisë.
Bexheti tha se Ministria e Drejtësisë angazhohet që t'u ofrojë institucioneve gjyqësore, kushte për të mundësuar pavarësinë në to.
"Ne punojmë në më tepër segmente në pavarësinë e Gjykatave. Ajo nënkupton edhe sigurim të kushteve për punë, sigurim të shumë gjërave që nënkupton pavarësinë e Gjykatave. Duke krijuar kushte sa më të mira dhe duke krijuar ligje që u siguron si gjatë notimit, si gjatë procedurës së zgjedhjes, ndonjë procedure për shkarkim e kështu me radhë, me këto ligje sigurohet një pavarësi e plotë e Gjykatave gjegjësisht gjykatësve duke pasur parasysh se edhe ata punojnë në bazë të ligjit", u shpreh Blerim Bexheti, ministër i drejtësisë.
Këto komente Bexheti i bëri sot në kuadër të takimit të Këshillit për Reforma, ku u diskutua raporti i Komisionit Europian që ka të bëjë me Ministrinë e Drejtësisë. Takimi i këtij Këshilli për Reforma bëhet gjithashtu me rekomandim të KE-së, e cila kërkon mbajtjen e takimeve të rregullta të këshillit për reforma, për të shqyrtuar tema të rëndësishme siç është edhe vet raporti i KE-së. Ndërkaq, Këshilli Gjyqësor zgjodhi sot për kryetare të Gjykatës Supreme të Maqedonisë, ish kryetaren e Gjykatës Themelore Shkupi 1 Lidija Nedelkova. Ndërsa kryetar i Gjykatës Themelore Shkupi 1 u zgjodh Vladimir Pançevski. Shkëlzen Aqifi