Ivanov: 'Mësoni gjuhën e njëri tjetrit'

alsatmtv 2015-08-21

Views 4

Presidenti Gjorge Ivanov bëri thirrje sot për mësimin e gjuhës shqipe, pasi dy komunitetet që jetojnë prej shekujsh, duhet të komunikojnë e të bashkëjetojnë me njëri tjetrin, dhe jo të getoizohen dhe të thellojnë ndasitë. Deklaratën, Ivanov e bëri në vizitën në Katedrën e Gjuhës dhe Letërsisë Shqipe të fakultetit filologjik "Bllazhe Konevski", për nder të 22 nëntorit, ditës së alfabetit shqip. Ai nënvizoi rëndësinë e mësimit të gjuhëve të njëri-tjetrit me qëllim të integrimit të shoqërisë, si një e tërë.
"Duke mësuar gjuhën e tjetrit mundësohet integrimi i brendshëm dhe njohja e dy bashkësive që jetojnë në këto hapësira me shekuj. Prandaj e festojmë këtë ditë të alfabetit shqip, e cila duhet të ruhet, të rinjtë të mësojnë sepse në jetë duhet të gjeni mënyrë për të komunikuar. Kur komunikoni, integroheni ndërkaq, kur nuk komunikoni getoizoheni dhe mbylleni", deklaroi Gjorge Ivanov, Presidenti i shtetit.
Ndërkaq, stafi i katedrës e njohu Presidentin me nevojat dhe kërkesat që ka, për sa i përket mungesës së kuadrove dhe ambienteve mësimore. Studentët, të cilët nuk deshën të prononcoheshin publikisht para kamerave, shprehën shqetësimin edhe lidhur me ndjekjen e një pjesë të lëndëve mësimore në gjuhën maqedonase dhe mungesës së punonjësve shqiptarë në shërbimet studentore.
"Në radhë të parë është mungesa e kuadrit, pastaj vjen profesionalizmi veçanërisht në pjesën se në katedrën tonë përveç grupit studimor për profesorë të gjuhës shqipe, funksionon edhe drejtimi i përkthyesve. Në kuadër të këtij drejtimi ne kemi disa vështirësi në raport me profesionalizmin e kuadrit që u jep mësim këtyre studentëve, vështirësi të tjera lidhen me aspektet teknike, mos pasjes e hapësirave të nevojshme, mos pasja e hapësirave për realizimin e pjesës praktike", u shpreh Valbona Toska, shefe e katedrës të gjuhës dhe letërsisë.
Ivanov tha se problemi me punësimin e kuadrove të reja qëndron tek gjendja e përgjithshme ekonomike. Megjithatë, ai dha shpresë se kjo situatë do të zgjidhet. Në katedrën e gjuhës shqipe përveç studentëve shqiptarë mësojnë edhe maqedonas. Për ta, studimi i gjuhës shqipe ka perspektivë pasi përbën një pjesë të rëndësishme të shoqërisë në Maqedoni.
"Mendoj se është shumë mirë të dish sa më shumë gjuhë, sepse jemi në një shtet që e përdorë shumë gjuhën shqipe, të gjithë jemi së bashku dhe duhet të komunikojmë më mirë", tha Janevska, studente e Katedrës së gjuhës dhe letërsisë shqipe.
"Unë e kam pasion të studioj në këtë drejtim, merrem me gjuhë dhe letërsi.. jam i kënaqur me raportet me studentet sepse dominon një energji shumë e mirë, në kontekst të shoqëri, përkushtimit të profesorëve dhe studentëve", u shpreh Asdren Çeliku, student i Katedrës së gjuhës dhe letërsisë shqipe.
Aktualisht në Katedrën e Albanologjisë, i ndjekin studimet 163 studentë, në drejtimet për gjuhë dhe letërsi dhe për përkthyes. Ndërkaq që nga themelimi në vitin 1971 janë diplomuar 1165 studentë. Semra Jakupi

Share This Video


Download

  
Report form