Radushë, shpaloset shtatorja e Adem Jasharit

alsatmtv 2015-08-21

Views 3

Sot para një numri të madh qytetarësh në fshatin Radushë të Shkupit u shpalos shtatorja e heroit legjendar Adem Jashari e vendosur mbi tankun e mposhtur të ARM-së gjatë konliktit të vitit 2001. Të pranishëm gjatë këtij manifestimi ishin edhe familjar të heroit Jashari, por edhe funksionarë të lartë të partisë shqiptare në pushtet BDI-së të kryesuar nga Ali Ahmeti. Kryetari i këshillit organizativ Rafiz Haliti, Adem Jasharin e cilësoi si gurrëthemel të pavarësisë së Kosovës, lufta e drejtë e të cilit alarmoi gjendjen e rëndë të shqiptarëve asokohe të okupuar . Haliti me këtë rast theksoi se gjatë luftimeve të 2001 në atarin e Radushës ka pasur disa të plagosur por jo edhe dëshmorë, andaj Këshilli ka vendosur që në Radushë të ngritët shtatorja e siç u shpreh ai krenarisë së kombit, Adem Jashari.
"Ky rajon për herë të parë vendos një shtatore të simbolit të sakrificës për liri, të simbolit të rezistencës që riktheu dinjitetin dhe krenarinë e kombit tonë. Që mobilizoi shqiptarët nga të gjitha anët e globit për një ideal, gjaku i tij dhe amaneti i tij e rreshtoi një komb të tërë në një emblemë të vetme, në një qëllim të vetëm për liri, unitet, dinjitet dhe krenari", tha Rafiz Haliti, kryetar i këshillit organizativ.
Të pranishëmve iu drejtua edhe nipi i Adem Jasharit, Murat Jashari, i cili sot kishte ditëlindjen e tij dhe u shpreh se dhurata më shtrenjtë për të është shpalosja e shtatores së Adem Jasharit.
"Adem Jashari nuk ishte vetëm një luftëtarë dhe një vizionarë i luftës ai ishte dhe një familjarë i mirë, ishte ai i cili dilte të jepte dashuri edhe fëmijëve të tij por edhe të tjerëve. Unë njëri prej pjesëtarëve të asaj familje që pata fatin të rritem me te dhe ta kem prind edukativ për mua nuk ka pasur dhe nuk do të ketë dhuratë më të mirë se sa zbulimi i shtatores së tij sot në Radushën heroike", u shpreh Murat Jashari, familjar i Adem Jasharit.
"Adem Jashari nuk u takon vetëm shqiptarëve por duhet të jetë nderë i gjithë kombeve të Ballkanit që të ngrisin përmendore për Adem Jasharin, sepse as Evropa e as bota nuk kanë ndonjë rast të tillë që i tëri të shkrihet dhe të prek ndërgjegjen e të gjithëve. U dashtë 100 vjet rrugëtim që hija e tij të zbres në këto shkrepa. Legjendat, Zanat nga shkrepat zbresin dhe vendosen në lugina për ët kuvenduar për punë të mëtutjeshme që ne të gjithëve na presin. Ky është amaneti dhe Adem Jashari legjendë e gjallë me porosi vendoset mu në këtë luginë", deklaroi Ali Ahmeti, kryetar i BDI-së.
Shpalosja e shtatores së heroit kombëtarë Adem Jashari në Radushë, vjen në kuadër të manifestimeve me rastin e shënimit të 100 vjetorit të shtetit shqiptarë. Bedri Rexhallari

Share This Video


Download

  
Report form