Presidenti Gjorge Ivanov i vlerëson si pozitive lëvizjet në procesin e negociatave mes Maqedonisë dhe Greqisë, që do të mbahen javën e ardhshme në Nju Jork. Nga Austria, Ivanov theksoi se i rëndësishëm është fakti që palët duhet të heqin dorë nga status quo-ja. Megjithatë, do të pritet takimi i negociatorit Metju Nimic me dy pjesëmarrësit Zoran Jolevski dhe Ademantios Vasilakisi, për të parë frytet konkrete të takimit.
"Është mirë që ka filluar të lëviz procesi i negociatave për kontestin e emrit mes Maqedonisë dhe Greqisë. Personalisht insistova dhe kërkova që ai proces të fillojë të dinamizohet. Paralajmërimet për takimin e negociatorit Methju Nimic me të dy pjesëmarrësit në këtë proces janë pozitive. Megjithatë duhet te presim pas takimit se cilat ide do të prezantohen dhe cilat janë mendimet e Nimicit në këtë situate. Vetë takimi vlerësohet si pozitiv. Ne si udhëheqës shtetëror jemi në koordinim dhe përfaqësuesi ynë Jolevski i di qëndrimet e shtetit. Shpresojmë se Vasilakis gjithashtu të vijë me qëndrimet e Qeverisë greke dhe që ky proces të fillojë të lëvizë. Çdo status quo nuk i përgjigjet askujt", deklaroi Gjorge Ivanov, president i Maqedonisë.
Ndërkohë, mbrëmë vonë, pas Kongresit të Unionit Pan-Europian, presidenti Gjorge Ivanov realizoi takim edhe me kryetarin e Këshillit Europian, Herman Van Rompuj. Ivanov tha se Maqedonia pret për në dhjetor, nisjen e e negociatave për anëtarësim.
"Van Rompuj u shpreh se ai personalisht do të angazhohet që Maqedonia të meritojë bashkë me gjithë rajonin, që gjendja të ndryshojë. Ky është një mesazh, por kur do të vijë mbledhja e Këshillit Europian atëherë do ta shohim se cila do të jetë përgjigjja. Është e rëndësishme se ajo që varet nga ne, është realizuar dhe këtë e dëshmojnë edhe raportet e Komisionit Europian", tha Gjorge Ivanov, president I Maqedonisë.
Presidenti Gjorge Ivanov me takimin e sotëm të realizuar me komisarin për politikë rajonale Johanes Han përmbylli edhe vizitën e tij të punës Vjenë të Austrisë. Melihate Rustemi