Nënat shqiptare të Podgorcës u ngritën sot në protesta në Strugë, për të kërkuar që fëmijët e tyre të mësojnë në gjuhën shqipe, në shkollën fillore "Goce Dellcev". Ato kundërshtuan faktin që fëmijët, për të vazhduar studimet, të udhëtojnë deri në fshatin Llabunishtë. Nënat kërkuan nga institucionet lokale dhe nga Ministria e Arsimit, që të hap paralele shqipe në shkollën ekzistuese në 'Goce Dellçev', që të jetë në kuadër të shkollës fillore "Murat Llabunishti" nga Llabunishta.
"Duam drejtë ta informojmë opinionin vendor dhe të jashtëm për problemin tonë. Ne nuk kërkojmë që në Podgorcë të hapim shkollë të re në gjuhën shqipe. Ne kërkojmë që në shkollën ekzistuese të fshatit, e cila ka përplot klasë zbrazët. Ministria për Shkencë dhe Arsim të formoj dy klasë të kombinuara me mësim në gjuhën shqipe. Rasti i Podgorcës për këtë vit nuk është vënë në diskutim në seancat e këshillit komunal të Strugës. Nga ky tubim, i bëjmë thirrje Ministrit të Arsimit , z. Pançe Krale,mos veproni si inkuizicioni kundër iluministëve dhe humanistëve. Mos e vrisni dëshirën e fëmijëve tanë për të mësuar në gjuhën amtare-shqipe", deklaroi Krenare Sheji, nxënëse.
Aktualisht në Podgorcë janë 25 nxënës shqiptarë që kërkojnë të mësojnë në gjuhën shqipe në hapësirat e shkollës së fshatit, aty ku kanë zhvilluar mësimin që përpara tre vjetëve, por qe tani kjo e drejtë ju mohohet.
"Kemi përafërsisht 25 nxënës momentalisht, dhe duam që të mësojmë Shqip. Tre vjet nxënësit tanë mësuan shqip, kishin mësues nga komuna. Komuna na premtoi se do zgjidhet kjo çështje por tani jo. Vitin e katërt fëmijët tanë që filluan i dëbuan nga shkolla", tha Emrije Murtezani, përfaqësuese e nënave të Podgorcës.
"Për fëmijët tonë, për të drejtat e fëmijëve tonë, të mësojnë në gjuhë e tyre a në gjuhën amtare shqipe, si të gjithë fëmijët në vend paguajmë tatim për fëmijët dhe duam të kenë të drejtat e tyre", u shpreh Kimete Sadiku, banore e Podgorcës.
Përfaqësuesit vendor nuk e komentuan protestën që u zhvillua përpara Komunës së Strugës. Protestat e prindërve të fshatit Podgorcë do të vazhdojnë edhe përpara institucioneve të larta shtetërore dhe të huaja. Durim Etemi