VMRO DPMNE i është kundërpërgjigjur sot liderit të LSDM-së Branko Cërvenkovskit, i cili në mitingun e mbrëmshëm kërkoi nga kryeministri Gruevski që në mars të vitit të ardhshëm bashkë me zgjedhjet lokale të mbahen edhe ato të parakohshme parlamentare. Anëtari i Komitetit Qëndror të VMRO DPMNE-së, Zoran Stavrevski tha se partia që përfaqëson nuk ka ndërmend të plotësojë dëshirat personale të Cërvenkovskit. Stavrevski tha se kur Cërvenkovski para një viti e gjysmë kërkoi zgjedhje të parakohshme, ai i humbi ato dhe nuk u largua nga politika.
"Ne nuk do të lejojmë që Republika e Maqedonisë të bëhet peng i karrierës personale të Branko Cërvenkovskit dhe dëshirave të tij politike. VMRO DPMNE nuk ka kurrfarë obligimi, e as qëllim ti plotësojë dëshirat personale të Cërvenkovskit. Ne i njohim dhe pranojmë obligimet ndaj qytetarëve. Ditëve të kaluara Cërvenkovski dhe Georgievski thanë një tezë të gabuar dhe shumë të rrezikshme për të cilën ne ashpër reagojmë. Ata thanë se nëse Maqedoni merr datën për bisedime kjo do të nënkuptonte ndryshimin e emrit. Kjo nuk është e vërtetë", deklaroi Zoran Stavrevski, anëtar i Komitetit Qëndror të VMRO DPMNE-së.
Duke folur për mitingun e opozitës së bashkuar maqedonase, Stavrevski tha se çdo herë kur LSDM-ja ka thënë se ka mbajtur mitingun më të madh në historinë e Maqedonisë, atëherë edhe i ka humbur zgjedhjet. Nga ana tjetër LSDM-ja e ka vlerësuar të suksesshëm mitingun e mbrëmshëm në sheshin e Shkupit ku sipas vlerësimeve partiake kanë marrë pjesë mbi 70 mijë simpatizantë të opozitës. Lideri i LSDM-së Branko Cërvenkovski, mbrëmë kërkoi nga kryeministri Nikolla Gruevski, që në mars bashkë me zgjedhjet lokale të mbahen edhe zgjedhjet e parakohshme parlamentare
"Atëherë Nikolla, në mars le të mbahen edhe zgjedhjet lokale edhe zgjedhjet e parakohshme parlamentare dhe të dihet një herë se cilën rrugë do ta marrim. Le të vendos populli për çka është, për Maqedoninë tënde, apo për Maqedoninë tonë. Kërkojmë zgjedhje, kërkojmë zgjedhje parlamentare në mars. Nëse pajtohesh Nikolla që ta ndryshosh emrin e shtetit dhe në dhjetor të marrim datë për fillimin e bisedimeve, atëherë plotësoje premtimin që ia dhe popullit, në mars të mbahet edhe referendumi dhe e tëra të vendoset në tavolinë, për një ditë të vendoset gjithçka", tha Branko Crvenkovski -- lider i LSDM-së.
Sekretari i përgjithshëm i LSDM-së Andrej Petrov tha se LSDM-ja do të tërhiqet nga kërkesat e saj për ndryshimet e kodit zgjedhor dhe kërkon të miratohen vetëm rekomandimet e OSBE-ODIHR, gjë që nuk merr kohë më tepër se 15 ditë.
"LSDM-ja do të tërhiqet nga pjesa e kërkesave të saj dhe do të kërkojë në Parlament të miratohen vetëm rekomandimet e OSBE-ODIHR-it për legjislativin zgjedhore. Ajo punë mund të zgjasë dhjetë ose 15 ditë, asgjë më tepër, për këtë mendoj se ka mjaft kohë për katër muaj e gjysmë para zgjedhjeve të supozuara që këto punë ti mbyllim në interes të qytetarëve", u shpreh Andrej Petrov, Sekretar i përgjithshëm i LSDM-së.
Ndryshe në mitingun e mbrëms...