Argumenteve për mosmiratimin e ligjit për 'Branitellat', koordinatori i BDI-së Talat Xhaferri i ka shtuar edhe një tjetër, atë që theksohet edhe në Raportin e Komisionit Evropian se "duhet të zgjidhet statusi i të gjithë viktimave të konfliktit të 2001-it", pa bërë dallim për njërën apo tjetrën palë. Xhaferri theksoi gjithashtu se propozim ligji është diskriminues dhe si i tillë nuk i trajton të gjithë qytetarët njësoj; për këtë arsye, ky draft nuk duhet të kalojë, dhe subjekti që ai i takon do të shfrytëzojë të gjitha mundësitë institucionale, për të parandaluar miratimit e pr/ligjit të Branitellave.
"Edhe raporti i fundit për progres të RM-së për aderim në Bashkimin Evropian, në mënyrë të veçantë e theksoi çështjen e zgjidhjes së statusit të atyre që kanë pësuar në vitin 2001, pa dallim se cilës anë i takojnë ata.... Ky është një argument plus për të shfrytëzuar çdo mënyrë institucionale që propozim/ligji në këtë formë siç është propozuar, të mos kalojë. Duke theksuar edhe njëherë se, ne si BDI jemi të interesuar që kjo çështje të zgjidhet, por kjo çështje të zgjidhet në mënyrë komplementare për të gjithë ata që kanë pësuar në vitin 2001, ashtu siç sugjerohet edhe në raportin e fundit të KE-së, që kjo çështje duhet të zgjidhet për të gjithë qytetarët e RM-s që kanë pësuar në vitin 2001", deklaroi Talat Xhaferri, BDI.
Për dallim nga seanca e parafundit-të mërkurën- ku në sallë kishte jo më shumë se tre presona, Kryetarja, propozuesi i draftit dhe Talat Xhaferri, sot salla e Komisionit për punë dhe politikë sociale ishte e stërmbushur. Mbetet e paqartë nëse deputetët ishin të interesuar për të dëgjuar heshtjen e Xhaferrit, apo për të marrë mëditjet dhe kompensimet e rrugë! Bedri Rexhallari