Prej sot druri për ngrohje me çmime më të ulëta

alsatmtv 2015-08-21

Views 2

Ulet çmimi i drunjve për ngrohje. Pyjet e Maqedonisë prej sot, do t'u shesin qytetarëve drunj për ngrohje, me çmim 10 për qind më të lirë. Për shfrytëzuesit e ndihmës sociale, për 5 metra kubë çmimi do të jetë 20 për qind më i ulët. Edhe pse qytetarët ankohen se në depot e Pyjeve të Maqedonisë nuk ka drunjë të mjaftueshëm, ose nëse porositin do t'u duhet të presin më shumë se një muaj, Qeveria thotë të kundërtën.
"Pyjet e Maqedonisë janë të detyruar me vendim të Qeverisë dhe me konkluzionet e saj, në moment të caktuar, nëse kërkohet dru nga qytetarët, t'u mundësohet. Kjo do të thotë se Pyjet e Maqedonisë kanë një detyrim për t'i siguruar drutë që janë të nevojshme dhe sipas informatave tona, ajo edhe po ndodhë, në fakt në depo ka dru në sasi të mjaftueshme dhe qytetarët duhet të jenë të qetë nga ky aspekt", deklaroi Aleksandar Georgievski, zëdhënës i qeverisë.
Sipas vlerësimeve, 2/3 e qytetarëve ngrohen me dru, një pjesë shumë e vogël me sistem qendror, ndërsa numri është i madh, vazhdon të jetë i atyre që përdorin energjinë elektrike. Edhe pse çmimi i rrymës dhe ngrohjes qendrore është vazhdimisht në rritje, nga qeveria thonë se ata nuk kanë autoritet për të reaguar në çmimin e këtyre burimeve energjetike. Me rrymë ngrohet edhe zëdhënësi i qeverisë Georgiev, por në pyetjen nëse është e shtrenjtë rryma për të, ai u ngatërrua dhe mbeti pa përgjigje konkrete, sepse ai nuk e menaxhon buxhetin e familjes dhe se duhet të konsultohet me gruan e tij.
"E pra të them sinqerisht se për këtë nuk jam direkt përgjegjës unë, por një anëtar tjetër i familjes sime. Do duhet të konsultohem me të, por në çdo rast mendoj se e ndjej atë, në nivelin që e ndjejnë edhe qytetarët. Por është e rëndësishme që të kemi shpresa pozitive, për lëvizjen e të gjitha këtyre gjendjeve në ekonomi, që janë shkaktuar nga faktorë të jashtëm dhe të presim që ata të tejkalohen. Përndryshe, do të konsultohem me gruan dhe pastaj do t'u njoftoj", u shpreh Aleksandar Georgievski, zëdhënës i qeverisë.
Që nga fillimi i vitit, qytetarët janë përballur me një sërë shtrenjtimesh, thuajse të të gjitha produkteve dhe shërbimeve. U shtrenjtuan artikujt ushqimorë, transporti, energjia, dhe e gjithë kjo e goditi akoma më shumë standardin e ulët të qytetarëve të Maqedonisë. Natasha Stojanovska

Share This Video


Download

  
Report form