Neziri kundërshton mbylljen e paraleles shqipe në Lisiçen e Epërme

alsatmtv 2015-08-21

Views 3

Zv/ministri i arsimit Safet Neziri kundërshtoi si të palogjikshme shuarjen e paraleles në gjuhën shqipe në Shkollën Fillore 'Goce Dellçev' në Lisiçe të Epërme të Komunës së Aerodromit. Sipas Nezirit, nuk mundet që 3 paralele të mësojnë në një klasë, përkatësisht 3 programe mësimore të zhvillohen nga një mësues i vetëm. Neziri deklaroi se në terren, Inspektorati Shtetëror i Arsimit do të verifikojë situatën reale dhe mundësitë për të rikthyer paralelen shqipe.
"Si rezultat i gjithë kësaj unë isha i detyruar që sot të shkojë Inspektorati Shtetëror i Arsimit, të verifikojë gjendjen faktike në atë shkollë dhe tua bëj me dije për të dalë nga situata e krijuar edhe pse ne kompetenca të drejtë për drejta në mënyrë urdhërore nuk kemi si institucion sepse themelues i shkollave me ligjin për decentralizim është pushteti lokal, unë bisedova edhe me kryetarin e komunës së Aerodromit për të gjetur një rrugëdalje dhe tani ai është duke menduar se si të dilet nga kjo situatë e krijuar, por besojë që brenda këtyre 2-3 ditëve të them kushtimisht do të shohim se cili do të jetë rezultati", tha Safet Neziri, zv/ Ministër i Arsimit dhe Shkencës.
Neziri gjithashtu tha se edhe nga aspekti pedagogjik, nuk ka logjikë një kombinim i tillë i mbajtjes së tre klasave në një orë mësimi. Zv/ ministri Neziri tha se do të kundërshtojë deri në fund vendimin e drejtorisë së shkollës dhe komunës së Aerodromit.
"Nuk është e logjikshme që 3 paralele me 30 nxënës apo 2 paralele të një drejtimi tjetër që ka numër prej 30 apo 32 nxënës ajo vije në ndeshje me konceptin pedagogjik të funksionimit normal të një procesi edukativo-arsimor pasi mësuesi është i obliguar ti kushtojë rëndësi dhe vëmendje të posaçme çdo nxënësi veç e veç dhe për këtë nga aspekti pedagogjik unë jam kundërshtar jashtëzakonisht i madh i kësaj politike veçanërisht aty ku bëhet fjalë për numër të madh të nxënësve", u shpreh Safet Neziri, zv/ Ministër i Arsimit dhe Shkencës.
Ndërkohë nga Komuna e Aerodromit sot nuk deshën të prononcohen, por gjatë qëndrimit tonë në këtë komunë na u tha se ata kanë vepruar në pajtim me Ligjin për Arsim Fillor sa i përket shuarjes së paraleles në gjuhën shqipe. Nga kjo komunë arsyetojnë vendimin me ligjin në fjalë, nenin 41 paragrafi 7 ku thuhet se 'në shkolla fillore mund të formohen edhe paralele të kombinuara, sipas rregullave, nga nxënës të klasës së parë deri në të tretën dhe me nxënës prej klasës së katërt deri në të pestën...'
Por kjo komunë, nuk i referohet plotësisht nenit 41, i cili në paragrafin 5 saktëson se 'Një paralele mund të formohet edhe me më pak se 24 nxënës, por vetëm me leje nga themeluesi'.
Në këtë rast, Komuna që është themeluese e shkollave, dhe për më tepër, duke qenë se fondet për këtë vit janë ndarë që vjet, nuk mund të mbyllë paralelen, pa asnjë paralajmërim, në 1 shtator në ditën e fillimit të vitit shkollor. Për komente, sot e pakapshme nga ALSAT ishte edhe drejtoresha e Shkollës Fillore 'Goce Dellçev' Vangelina Sekullovska. Valmir Kuçi

Share This Video


Download

  
Report form