Vazhdon të mos respektohet gjuha shqipe në qytetin e Shkupit. Për këtë flet edhe tabela kryesore në hyrje të Kalasë së Shkupit e cila është shkruar vetëm në gjuhën maqedonase. Në këtë tabelë mund të vërehet shkrimi në alfabetin cirilik dhe atë latin por që ky fakt, nuk tregon se kjo tabelë hyrëse pranë Kalasë të jetë dygjuhëshe.
'Në këtë mënyrë dikush dëshiron të aplikojë dygjuhësinë. Tabela që tregon se këtu gjendet Kalaja e Shkupit është shkruar vetëm në gjuhën maqedonase dhe alfabetin e saj cirilik, kurse më posht është shkruar i njëjti tekst por në alfabetin latin. Gjuha shqipe vazhdon të diskriminohet'.
Ndërkohë i kontaktuar nga ALSAT-M, drejtor i drejtorisë për Mbrojtje të Trashëgimisë Kulturore dhe Historike Pasko Kuzman thotë se nuk është ai apo ekipi i tij që kanë vendosur këtë tabelë, ndaj nuk ndihet përgjegjës për të.
'Më intereson, ka një tabelë e cila thotë se kjo është Kalaja e Shkupit e cila është vetëm në gjuhën maqedonase dhe alfabetin e saj cirilik dhe po ashtu është shkruar në maqedonisht por në alfabetin latin. Pse kjo tabelë nuk është dygjuhësore dhe kush është përgjegjës për gjëra të tilla?'
"Është hera e parë që dëgjoj dhe nuk e di se ku është kjo tabelë. Kompetent kush është? Nëse ne e kemi vendosur atëherë jemi ne, por ne me siguri nuk e kemi vendosur. Nga ne me siguri nuk është vendosur", u përgjigj Pasko Kuzman, Drejtor i drejtorisë për Mbrojtje të Trashëgimisë Historike dhe Kulturore.
Diku më poshtë, në afërsi të të njëjtit objekt qëndron dhe një tabelë tjetër me mbishkrimin Kalaja e Shkupit e hedhur përtokë, e cila është e shkruar në 3 gjuhë; në maqedonisht, shqip dhe anglisht. Edhe në të mund të vërehet se fillimisht ka qenë e dizajnuar vetëm në maqedonisht dhe anglisht dhe më pas është përmirësuar dhe i është shtuar edhe gjuha shqipe. Valmir Kuçi