Filigrani që diktur ishte shumë i përharur si zanat, sot gjithnjë e më shumë po zhduket. Nga njëra anë mungesa e interesimit tek të rinjtë ndërsa nga ana tjetër mos vlerësimi sa duhet i këtij zanati që ka rrënjët tek ilirët janë arsyet kryesore përse ky zanat dita ditës po humbet. Filigranisti i vetëm në Çarshinë e Shkupit është Xheladin Asani, i cili shpjegon se vetëm me këmbëngulje dhe përkushtim të madh mund të korret sukses në këtë mjeshtëri.
'Kanë mbetur shumë pak filigranist pasi që shumica kanë shkuar jashtë shtetit për shkak se puna e dorës atje vlerësohet më shumë. Filigrani ka një histori të lasht histori ilire ku nëpërmjet emigrimit filigrani është zgjeruar . Thelbi i filigranit është në Shkodër, filigranin e kanë punuar shqiptarët. Të kthehemi pak me mbas, aq sa kam njohuri filigrani ka qenë prezent shumë në Shkup ka pasur shumë shqiptar që e kanë punuar filigranin këtu në Çarshinë e vjetër. Ç'do njeri nuk mund të bëhet filigranist ajo nuk është e komplikuar por duhet njohuri të mëdha. Filigrani kërkon njerëz të veçantë të rinj këmbëngulës që të korrin sukses', shprehet filigranisti Xheladin Asani.
Nga ana tjetër Adnan Sulejmani përgjegjës i punëtorisë për filigranin, shprehet se situata është akoma më e keqe tek shqiptarët pasi ata nuk janë të interesuar për punën e filigranit, ndërkohë interesim më të madh ndaj këtij zanati tani tregojnë maqedonasit.
"Për teknikën e filigranit shqiptarët nuk janë fare të interesuar. Paraqitet shpallje në gjuhën shqipe dhe maqedonase, kursi është 6 mujor, punohet 4 orë në ditë, përveç shtunës edhe dielës pagesa është 8 mijë denarë. 6 muaj punohet për të mësuar teknikën e filigranit, dhe punohet vetëm me argjend. Nuk e dimë a është shkaku i pagesës apo ndonjë shkak tjetër domethënë se marrin pjesë vetëm maqedonët në këto projekte", thotë Sulejmani.
Drejtori i Odës së zanatçinjve Nikolla Petrov Kole thotë se jo vetëm filigrani por edhe zanatet e tjera të vjetra në Shkup kanë stagnuar. Prandaj kjo odë është angazhuar si thekson ai për zhvillimin dhe ringjalljen e zanateve të shumta.
"Nuk bëhet fjalë vetëm për filigranin ne ndihmojmë për zhvillimin e zanateve pasi zanati në Shkup është në fazë të stagnimit, nuk kemi numër të madh të zanateve këtë e them me plot bindje pasi numri i nxënësve të regjistruar ne shkollat e mesme teknike është shumë i vogël se sa në degat e gjimnazit dhe mjekësisë",thekson drejtori i Odës së zanatçinjëve Nikolla Petrov Kole.
Ky art i shkrirë behet nga argjendi dhe ari, dhe si traditë e lashtë shqiptare punohet në Shkup, Shkodër e Prizren. Është një nder stolitë më të bukura dhe më të çmuara që ende vihen dhe blihen nga gjinia më e butë në formë unazeje, qaforeje e bylyzyku. Valdrina Veliji