Analistët: 'Emri të zgjidhet nga politikanët që janë në pushtet'

alsatmtv 2015-08-21

Views 0

Anashkalimi i opozitës gjatë takimeve të diplomatëve të huaj me zyrtarët shtetëror, të cilët ishin të shpeshta në dy javët e fundit, nga njohësit e marrëdhënieve ndërkombëtare komentohet si proces normal. Për ish ambasadorin Denko Malevski, shmangia e opozitës në këtë rast, nuk paraqet diçka të pazakontë, pasi në çdo shtet normal takimet realizohen me ata që udhëheqin shtetin. Malevski gjithashtu vlerëson se mesazhi i diplomatëve të huaj ishte shumë i qartë, se zgjidhjen e çështjes së emrit e kërkojnë nga udhëheqësit që disponojnë me aparatin shtetëror.
"Është e zakonshme që kur të huajt vijnë në Maqedoni të bisedojnë me përfaqësuesit e pushtetit, vetëm në situata specifike zakonisht kur gjendja nuk është e mire në shtet insistohet te bisedohet edhe me opozitën. Ajo që është emërues i përbashkët i të gjitha takimeve është mbështetja ndaj Maqedonisë por njëkohësisht kërkohet që vet të ballafaqohet me problemin e vështirë që e ka me Greqinë. Kjo tregon se përfaqësuesit e shteteve që vijnë këtu kaq mund të bëjnë për ne, pjesa tjetër i mbetet Maqedonisë dhe politikanëve që janë në pushtet. Përgjegjësinë primare për të udhëhequr politikën shtetërore e kanë përfaqësuesit e zgjedhur nga populli", tha Denko Malevski, ish ambasador.
Malevski gjithashtu vlerëson se për një çështje kaq të vështirë më se i nevojshëm është bashkëpunimi me opozitën, por Qeveria është ajo që duhet të vendos politikën e unifikimit, edhe pse këtë nuk e bën për çështje të tjera ta bëj të paktën për këtë problem vital për të ardhmen e vendit. Në vijë të njejtë është edhe analistja Biljana Vankovska. Madje ajo shprehet se takimet me opozitën tek ne kur dihet se marrëdhëniet mes partive janë shumë të acaruara, akoma më shumë mund të shtojnë hutinë tek opinioni se çfarë mund të diskutojë opozita me përfaqësuesit e huaj.
"Në të kaluarën kishte takime edhe me opozitën. Nuk është e zakonshme që dikush kur vjen në vizitë diplomatike në një vend të huaj të takohet me liderët e opozitës, kjo ndodh vetëm tek shtetet e dobëta siç është Maqedonia, ku kërkohen aleat apo u bëhet presion të dyja palëve, por mendoj se kjo krijonte më shumë huti tek opinioni sepse vihet në pyetje lojaliteti dhe opozita shikohet me dyshim. Duke dituar se marrëdhëniet politike janë antagoniste, se nuk kemi dialog të hapur, nuk kemi ulje bashkë në një tavolinë të liderëve politik, parashtrohet pyetje se çfarë flasin me të huajt pas dyerve të mbyllura", deklaroi Biljana Vankovska, analiste.
Analistët gjithashtu vlerësojnë se nga vizitat e fundit të diplomatëve të huaj mund të kuptohet se është koha e fundit që partitë në pushtet VMRO DPMNE dhe BDI të zgjidhin çështjen e emrit dhe ta nxjerrin vendin nga status-s quo-ja, nga e cila më së shumti pësojnë qytetarët e Maqedonisë. Semra Jakupi

Share This Video


Download

  
Report form
RELATED VIDEOS