Asgjë nga paralajmërimet e zyrtarëve të Ministrisë së Brendshme se do të ndryshojnë rregulloren e MPB-së dhe me këtë të mundësojnë përdorimin e gjuhës shqipe në të gjitha dokumentet që jep kjo ministri. Mos harmonizimi i ligjit për automjete me rregullativat e MPB-së pamundëson qytetarët shqiptarë që edhe lejet e qarkullimit të makinave ti marrin në dy gjuhë. I kontaktuar nga ALSAT M , zëdhënësi i MPB-së Ivo Kotevski tha se për tu ndryshuar rregullorja ekzistojnë disa procedura, që kërkojnë edhe kohë. Ndërsa u thirr në deklaratën e tij, të dhënë më 19 qershor, kur kishte paralajmëruar se do të ndryshojnë rregulloren e MPB-së.
"MPB vepron në baza të një rregulloreje e cila ka qenë e përgatitur para se të miratohen ndryshimet në Ligjin për Automjete dhe rregullore e cila është e përgatitur në pajtueshmëri me Ligjin për Përdorim të Gjuhëve në të cilin saktë tregohen dokumentet të cilat duhet të jepen në dygjuhësi, përkatësisht dokumentet personale. Në pajtim me Ligjin për Gjuhët si dokumente personale definohen letërnjoftimi dhe pasaporta të cila jepen në dy gjuhë. Por megjithatë MPB do të përgatitë një rregullore të re dhe do të merren parasysh edhe përcaktimet nga Ligji për Automjete dhe nga përcaktimet e Ligjit për përdorimin e Gjuhëve kështu që mbi baza të të gjitha përcaktimeve do të përgatitet rregullorja e re dhe përderisa ka bazë nënkuptohet se do të implementohet edhe neni i Ligjit për Automjetet", tha Ivo Kotevski, zëdhënës i MPB-së.
Një javë më parë rreth këtij problemi polemizuan dy ministrat e Qeverisë Gruevski, Jankullovska dhe Saraqini duke i hedhur topin njëri tjetrit. Jankullovska deklaroi se Ligji për Automjete është nën kompetencë të Ministrisë së Ekonomisë, ndërsa kolegu i saj, Valon Saraçini kishte akuzuar MPB-në se për shkak të neglizhencës së tyre qytetarët nuk kanë arritur të marrin në dy gjuhë lejet e qarkullimit. Përderisa presim ndryshimet e rregullores së punës së MPB-së ne citojmë edhe një herë nenin 33 të Ligjit për Automjetet, pika 5 ku thuhet se 'Qytetarëve, që flasin gjuhë të ndryshme nga gjuha zyrtare - me kërkesën e tyre personale - të dhënat për emrin personal që regjistrohen në lejen e qarkullimit, u shkruhen ato në gjuhën maqedonase dhe alfabetin cirilik, në gjuhën dhe alfabetin që qytetari flet, si dhe në alfabetin latin'. Shkëlzen Aqifi