Një ditë pas fillimit të bashkëpunimit të dy ish kryeministrave Branko Cërvenkovskit dhe Lubço Georgivskit, me qëndrim është paraqitur edhe lideri i VMRO-DPMNE-së dhe kryeministri Nikolla Gruevski. 'Një foto sa një mijë fjalë'. Kështu kryeministri Nikolla Gruevski e ka komentuar fillimin e bashkëpunimit të dy oponentëve të tij tashmë kryesorë: Cërvenkovskit dhe Georgievskit.
"Unë në mëngjes e pashë një fotografi në ballinën e një të përditshme ku ishin fotografuar të dy bashkë duke shtrënguar duart. Sigurisht se ka qenë ndonjë foto sesion special ku shohim një fytyrë të lumtur dhe një njeri të pikëlluar. I lumturi ka ndonjë shpresë se kjo do ta kthejë në politikë, pasi është jashtë prej disa vitesh. I pikëlluari mendoj se në një mënyrë është i vetëdijshëm se kjo nuk do t'i ndihmojë që mos ta mbarojë karrierën në mënyrë katastrofale edhe pse tenton ta parandalojë atë", tha Nikolla Gruevski, kryeministër.
Kryeministri Gruevski tha se dy oponentët e tij janë në krizë për pushtet, dhe se shteti nuk është në krizë, ashtu siç deklaruan një ditë më parë Georgievski dhe Cërvenkovski. Kryeministri madje tha se është nderë për të që të ketë përballë dy personat të cilët i ka dënuar populli.
"Deklaruan se shteti është në krizë dhe për atë arsye bashkohen. Bëjnë një koalicion jo parimor. Në fakt ata vetë janë në krizë, problemi është kriza e tyre, kriza për pushtet, kriza për fuqi, kriza për kolltuk, kriza për atë që qytetarët ia dhanë, e keqpërdorën dhe qytetarët ia morën, kjo është kriza e tyre. Mua më vjen mirë që jam në anën e kundërt të këtyre dy personave dhe vlerave të tyre, që jam përballë nga vlerat e tyre dhe do të ishte nderë që në periudhën e ardhshme të jem në ballë të qytetarëve të cilët, njërit do ti tregojnë se nuk ka kthim prapa, kurse tjetrin do ta dërgojnë tek i pari", u shpreh Nikolla Gruevski, kryeministër.
Dy rivalët e përbetuar Branko Cërvenkovski dhe Lubço Georgievski, dje edhe zyrtarisht shtrënguan duart njëri tjetrit dhe filluan bashkëpunimin, për siç thanë, rrëzimin e Qeverisë së udhëhequr nga Nikolla Gruevski. Shkëlzen Aqifi