Harmonizimi i Ligjit për punë të brendshme me ligjin për procedurë penale, është elementi kyç që përmbajnë propozim ndryshimet në ligjin për punë të brendshme që sot u debatua në Këshillin për euro-integrime ku morën pjesë ekspertë të fushës adekuate. Debati kishte për qëllim përmirësimin e tekstit punues të Propozim-ligjit.
"Duhej medoemos që Ligji për punë të brendshme të harmonizohet me Ligjin për procedurë penale. Ligj për procedurë penale i cili është sjellur më herët dhe disa norma të po atij ligji hyjnë në fuqi nga nëntori i këtij viti. E kryesisht ajo që është më me rëndësi për ne janë normat me të cilat barten kompetencat e hetuesisë nga sfera e krimit të organizuar, nga MPB-ja në prokurorinë publike. Kështu që do të thoja që në fillim se ndryshim rrënjësor i këtij ligji është ajo që bënë harmonizimin e ligjit për punë të brendshme me Ligjin për procedurë penale", deklaroi Xhelal Bajrami, zv ministër i brendshëm.
Nga ana tjetër ekspertët u shprehen se ndryshimet janë në frymën e reformave dhe harmonizimit të ligjeve me legjislaturën e BE-së, por mes tjerash nënvizuan rendësin e pavarësisë së Kontrollit të brendshëm në MPB.
"Në rast se përcaktohemi për një kontroll të brendshëm të pavarur, që duhet të jetë bazë për vënien në test të veprimeve profesionale dhe respektimit të ligjit gjatë punës së zyrtarëve të policisë, atëherë çështjet e ndryshimeve në këtë pjesë dhe plotësimi i kontrollit të brendshëm në kompetencën e njësive organizative nën mistrinë, shtojnë çështjen plotësuese të pavarësisë", u shpreh Frosina Remenska, profesor universitar.
Propozim ndryshimet e propozuara në Ligjin për punë të brendshme u kundërshton ashpër nga opozita sipas së cilës ndryshimet në fjalë kanë për qëllim të amnistojnë ministren e brendshme nga përgjegjësia politike dhe në këtë rast apostrofuan rastin Neshkovski.
"Nuk duhesh të jesh ekspert apo njeri nga MPB-ja që të kuptosh se çka në fakt po ndodh me këto ndryshime. Kjo është larje klasike e ndërgjegjes dhe krijimit të bazës ligjore jo për urdhërat në MPB, por, të krijohet një mekanizëm i ri për shmangien e përgjegjësisë politike të ministres për punë të brendshme. Ky është një përcaktim, një dispozitë për një rast konkret tragjik, vrasja e të riut Martin Neshkovski, gjatë kremtimit të VMRO-DPMNE-së", deklaroi Emiljan Stankoviç, LSDM.
Propozim ndryshimet e Ligjit për punë të brendshme se shpejti do të jenë në shqyrtim në seancë plenare të Kuvendit Republikan. Bedri Rexhallari