Vendimi për shpërnguljen e Institutit për trashëgimi shpirtërore dhe kulturore të shqiptareve i ka zënë në gjumë ministrat shqiptarë që kanë marrë pjesë në seancën e 1 qershorit të qeverisë. Pasi e kanë votuar e kanë kuptuar se për çfarë në të vërtet kanë dhënë pëlqimin e tyre. Vendimi siç mëson ALSAT M është marrë para tri javësh dhe mban numrin 41/17/65. I njëjti është miratuar me kërkesë të Ministrit të jashtëm të Maqedonisë Nikolla Poposki.
'Ky objekt i cili prej rreth 2 vitesh ishte në shërbim të Institutit për trashëgimi shpirtërore dhe kulturore të shqiptarëve së shpejti do të zbrazet, pasi me vendim të qeverisë këtu do të vendoset Ambasada e Bullgarisë. Ndërkaq se cili do të jetë fati i Institutit akoma nuk dihet'.
Në cilat hapësira do të vendoset Instituti pas shpërnguljes ende nuk dihet. I kontaktuar sot nga Alsat-M drejtori i Institutit për trashëgimi shpirtërore dhe kulturore të shqiptarëve Shefqet Zekolli tha se nuk është i njoftuar zyrtarisht nga qeveria për një vendim të tillë, edhe pse siç u shpreh nëse një gjë e tillë është e vërtetë, do ishte shumë shqetësuese për Institutin. Me vendimin e fundit të miratuar në qeveri është angazhuar Ministri i Punës dhe politikës Sociale Spiro Ristovski nën kompetencë të të cilit është edhe objekti në të cilën është i vendosur Instituti, të realizojë procedurën për t'ia dhënë objektin Ambasadës Bullgare. Sipas vendimit që iu prezantua ALSAT M marrëveshja për dhënien e objektit Ambasadës bullgare është arritur nga Ministri i jashtëm Popovski , ndërsa Maqedonia në këmbim do të mare objekt të ri në Sofje për ambasadën e saj, respektivisht ndërtesën në të cilën deri tani ka qëndruar Ambasada e Suedisë në këtë vend. Semra Jakupi