Gruevski përmes letrës kërkon anëtarësim në NATO

alsatmtv 2015-08-20

Views 1

Kryeministri Nikolla Gruevski përmes një letre të drejtuar liderëve të shteteve anëtare në NATO-s kërkon anëtarësimin e Maqedonisë në Aleancë në Samitin e Çikagos. Gruevski 10 ditë para samitit të majit nga kolegët e tij kërkon që të shqyrtohet nevoja e vendosjes në agjendë edhe zgjerimi i Aleancës.
"Maqedonia i përmbushi të gjitha kriteret për anëtarësim në NATO, të cilat u konstatuan në samitin e kaluar të Bukureshtit. Ne u dëshmuan si partner i barabartë i Aleancës, me pjesëmarrjen aktive në misionet paqeruajtëse të udhëhequra nga NATO, veçanërisht misioni ISAF në Afganistan, ku jemi ranguar si një nga kontribuuesit më të mëdhenj për kokë banori. Maqedonia me shumicë votash miratoi Deklaratën për ri-afirmimin e realizimit të qëllimit strategjik për anëtarësimin e vendit në Aleancë, që është edhe një vërtetim për ekzistimin e konsensusit në shoqëri rreth kësaj çështjeje.
Pikërisht për këto arsye, mendoj se aktualizimi i ftesës për anëtarësim në NATO në Samitin e Çikagos do të jetë përgjigje logjike për arritjet e Maqedonisë dhe vlerësim i përkushtimit tonë, kontributit dhe aspiratave tona", thekson në letër Gruevski.
Gruevski gjithashtu kërkon që NATO të respektojë aktvendimin e gjykatës të Hagës për sa i përket anëtarësimit të vendit nën referencën e OKB-së dhe gjithashtu t'i jepet mundësi Greqisë që të shprehet 'pro' respektimi të vendimit të GJND-së.
"Gjykata theksoi se në bazë të aktvendimit, Greqia nuk do të duhej të vazhdoj të pengojë anëtarësimin e Maqedonisë në organizatat ndërkombëtare nën referencën e OKB-së. Kjo na motivon të themi se është racionale dhe e drejtë që të korrigjohet përfundimi i Bukureshtit, që ka të bëjë me anëtarësimin tonë, dhe të shfrytëzohet fuqia juridike e aktvendimit të Hagës. Do doja të theksoja se mbështetja juaj për këtë aspiratë legjitime të vendit tim dhe të shumicës së qytetarëve, do të jetë shumë i rëndësishëm edhe për interesin e përgjithshëm të Aleancës".
Gurevski në letrën dërguar kolegëve të tij, liderëve të shteteve të Aleancës së Atlantikut të Veriut, gjithashtu thekson se ftesa për anëtarësimin e Maqedonisë në NATO këtë samit do t'i jepte dhe një dinamikë të re bisedimeve rreth çështjes së emrit me Greqinë. Por zyrtarët e lartë amerikan, sekretari i përgjithshëm i NATO-s Andres Fog Rasmusen si dhe liderët e shteteve tjera me ndikim, në mënyrë të prerë kanë deklaruar se anëtarësimi i Maqedonisë në NATO do të bëhet vetëm kur të zgjidhet problemi që ka vendi me fqinjin jugor ndërsa për këtë nuk nevojitet domosdoshmërish një samit i Aleancës. Semra Jakupi

Share This Video


Download

  
Report form