Qindra qytetarë, anëtarë dhe simpatizantë të Lëvizjes Shqipëria e re, nëpërmjet një marshimi paqësor sot në Tiranë, protestuan kundër arrestimeve të fundit të shqiptarëve në Maqedoni dhe në Luginë të Preshevës. Tubimi i cili filloi në Sheshin 'Nënë Tereza' vazhdoi drejt bulevardit 'Dëshmorët e Kombit', për t'u ndalur para Ambasadës së Serbisë në Tiranë dhe për të përfunduar para Ambasadës së Maqedonisë në Shqipëri. Lëvizja Shqipëria e Re, dhunën, arrestimet e shqiptarëve në Maqedoni dhe Luginë të Preshevës, akuzat e ministres së Brendshme Gordana Jankullovska për terrorizëm islamik, i cilëson si kërcënim të rëndë për të drejtat e njeriut. "Në emër të Lëvizjes Shqipëria e Re, i bëj thirrje të gjithë shqiptarëve të gjejnë forcën dhe energjinë e tyre pozitive dhe të reagojnë fuqishëm në mbrojtje të vëllezërve dhe motrave tona që po i cënohen të drejtat e tyre në Maqedoni e Preshevë. I kërkojmë të gjithë liderëve tanë, ta gjejnë këtë forcë dhe të reagojnë fortë", ka thënë para protestuesve Kryetari i Lëvizjes "Shqipëria e Re" Edmond Vlashaj, duke shtuar se shqiptarët nuk janë terroristë islamik, siç pretendon ministrja e Brendshme e Maqedonisë, por janë popull paqësor dhe perëndimor. "Nënat dhe motrat tona nuk janë teroriste, nuk janë terroriste islamike. Shqiptarët nuk janë terroristë islamikë, janë besimtarë që besojnë në Zot", deklaroi kreu i Lëvizjes "Shqipëria e Re". Ndërkohë në rrjetet sociale po qarkullon një thirrje për protestë në Maqedoni me moton 'Stop rasteve të montuara -- Stop nënçmimit eja edhe ti'. 'Të premten në ora 13:30 organizohet protestë, kundër keqtrajtimeve që iu bëhen shqiptarëve në Maqedoni. Protestat thuhet në paralajmërim, do të mbahen në çdo shesh të qyteteve shqiptare duke filluar nga Kumanova, Shkupi, Tetova, Gostivari, Kërçova, Dibra dhe Struga. Organizatorë, thuhet në moton e protestës, është vetë populli, pa prapavijë politike. Në apel thuhet se janë të lodhur nga gënjeshtrat dhe manipulimet e partive politike, ndaj edhe kanë vendosur që protestat t'i zhvillojnë pa përkrahjen e asnjërës prej tyre. Shkëlzen Aqifi