Unitet më i madh mes faktorit politik shqiptar brenda dhe jashtë vendit, si dhe mos njollosje e veprës së dëshmorëve të kombit. Këto ishin porositë që u dhanë në akademinë e sotme përkujtimore me rastin e shënimit të 5 majit, ditës së dëshmorëve të kombit, që u mbajt në Shkup.
"Ne si familje kërkojmë unitet më të madh brendapërbrenda faktorit shqiptarë qoftë këtu apo në të gjitha shtete shqiptare që janë Shqipëri-Kosovë e gjetiu", u shpreh Nderim Jashari, nipi i Ismet Jasharit.
"Duhet të gjejmë rrugën e duhur e cila do të na kthejë të gjitha ato që kemi humbur në shekuj, sepse ne do jemi përgjegjës për periudhën që kalojmë, sepse ne jemi përgjegjës nëse biem brenda skenarëve që nuk burojnë nga shqiptarët, dhe që nuk ka çojnë në një fund të mirë. Nuk është mirë kushdo qoftë ai, që të lejojë të nxihet apo të përdhunohet emblema e UÇK e cila detyrën e vet e kreu me nderin më të madh", u shpreh Hazbi Lika ish komandant.
"Ideali i dëshmorëve për liri dhe barazi deri diku është realizuar dhe se përpjekjet për përmirësimin e tyre vazhdojnë edhe më tej" -theksuan zyrtarë të lartë të ekzekutivit, në fjalimet e tyre para familjarëve dhe të pranishmëve të tjerë.
"Ne tubohemi për çdo vit në këtë ditë që bashkërisht të përkujtojmë të gjithë ata të cilët mundësuan ndryshimet reale që ndodhën dhe po ndodhin në këtë vend dhe në këtë shoqëri. T'i kujtojmë edhe njëherë jo vetëm për shkak të tyre dhe familjeve të tyre por për shkak tonin dhe gjeneratave të reja të cilat duhet që asnjëherë të mos lejojnë që të harrohen meritat e një lufte e një gjenerate e burrave që dhanë jetën për të të nderuar për këtë shkak ne jemi këtu me të vetmin mision realizmin e idealit të tyre dhe këtë e kemi amanet dhe hakë dhe këtë mundohemi ta realizojmë. Lavdi bijve më të mirë të kombit, lavdi dëshmorëve të kombit", tha Izet Mexhiti kryetar i komunës së Çairit.
"Ideali i këtyre bijve të kombit ishte realizmi i të drejtave të shqiptarëve në të gjitha sferat e jetës shoqërore në Maqedoni, mbrojtja e identitetit kombëtar dhe kulturor, arsimimi i gjeneratave të reja si dhe prosperiteti i tyre. Amaneti i tyre nuk harrohet është këtu, dëshmitar jemi të gjithë ne, e gjithë kjo gjeneratë e cila është përbetuar që këtë amanet ta realizoj deri në pikën e fundit", tha Musa Xhaferi, zëvendëskryeministër.
Zv/kryeministri Xhaferi njoftoi se për nder të sakrificës së dëshmorëve të kombit, një rrugë në qytetin e Shkupit do të mbajë pikërisht emrin '5 maji'. Manifestimi u organizuat nga Shoqata e Veteranëve të Luftës së UÇK-së dhe Këshilli Organizativ për shënimin e 100 vjetorit të Flamurit Kombëtar. Gjyltene Rexhallari